SHBA, skenarët e mundshëm ndërkombëtarë pas fitores së Trump

Intervistë me ambasadorin Giampiero Massolo, analist ekspert në gjeopolitikë, pak muaj më parë president i ISPI, për rezultatet e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara: “Do të kemi disi një rikthim të Trump në koordinatat që karakterizojnë presidencën e tij të parë, d.m.th., në fillim paqe përmes forcës. Gjë që do të thotë të përpiqesh të përdorësh forcën, për të siguruar parandalimin dhe të provosh krijimin e konflikteve, në nivelin e konkurrencës

R.SH. – Vatikan

Çfarë do të bëjë Donald Trump në politikën e jashtme? Si do të sillet për çështjet e luftës dhe të paqes? A do të mbajë qëndrim agresiv apo dialogues në tregje? Si do ta trajtojë problemin e emigracionit? A do të vazhdojë të mbështesë aleatët evropianë në fushën e mbrojtjes, apo do të pretendojë prej tyre në të ardhmen autonomi dhe kohezion? Çfarë marrëdhëniesh do të ketë me Pekinin? Çdo zgjedhje për udhëheqjen e Shtëpisë së Bardhë shkakton parashikime – pritje, dyshime, frikë – për drejtimin që do t’i japë botës presidenca e re. Shenjë se SHBA-ja, me gjithë antinomitë që e karakterizojnë, është (ende) vendi me peshën specifike më të madhe në nivel global. Kësaj atmosfere nuk i shpëton as fitorja e Trump, përkundrazi.

“Paqja përmes forcës”

Kureshtja rritet duke pasur parasysh rikthimin e tij katër vjet pas mandatit të parë. Me vatrat e shumta të krizës dhe ato që duket se kanë nevojë vetëm që të shpërthejë një fitil, panorama ndërkombëtare sot ka ndryshuar përfundimisht. “Unë besoj – thotë në një bisedë me L’Osservatore Romano Ambasadori Giampiero Massolo, analist gjeopolitik ekspert dhe president i ISPI deri pak muaj më parë – se do të kemi disi një rikthim të Trump në koordinatat që karakterizojnë presidencën e tij të parë, ose “Parimin e paqes përmes forcës”, që do të thotë të përdorësh forcën për të siguruar parandalimin dhe të përpiqesh të sjellësh konflikte në nivelin e konkurrencës.

Ukraina dhe Rusia

Në fjalimin e tij të parë si president i ri në West Palm Beach, sipërmarrësi njujorkez deklaroi se donte t’i “ndalonte të gjitha luftërat”. Duke parë Ukrainën, sipas Massolo-s, “ndjehet njëfarë lodhjeje dhe pritshmërie në rritje për një rezultat që vjen ngadalë është i padiskutueshëm. Mund të hamendësohet se, meqë kthimi i të gjitha territoreve në duart e Ukrainës nuk është më i mundur – përveçse me një përfshirje veprimi të drejtpërdrejtë të NATO-s kundër Moskës, të cilin askush nuk e dëshiron – do të arrihet një marrëveshje nga të dy palët: në Kiev, me kërcënimin e shkurtimit të ndihmës, në mënyrë që të pranojë shkëmbimin e ‘territorit për armëpushim’ në Moskë, duke u përpjekur të përdorësh karotën dhe shkopin dhe duke u përpjekur të arrish një ngrirje në linjat aktuale”. Për më tepër, “Vetë Trump e di se të kënaqësh Putinin, do të nënkuptonte lënien e Evropës në një gjendje pasigurie, duke qenë se objektivi i tij kryesor është Indo-Paqësori e se një Evropë e ekspozuar e dobëson këtë qëllim”. Më pas, “vazhdimi i mbajtjes së konfliktit të hapur nuk bën gjë tjetër veçse forcon boshtin Rusi, Kore e Veriut dhe Iran – me Kinën menjëherë pas – gjë  që përfaqëson kërcënim strategjik për SHBA-në dhe Perëndimin”.

Evropë

Europa duket se është ende në vështirësi dhe telashe. Trump, nënvizon Massolo, “do të përpiqet t’u ushtrojë presion dypalësh vendeve të veçanta që të bëjnë pjesën e tyre në lidhje me buxhetet ushtarake dhe sigurinë, si dhe të marrin përsipër kostot dhe përgjegjësitë për rindërtimin e Ukrainës. Kjo mund të përfaqësojë tronditje të fortë, sepse buxhetet evropiane nuk janë gati për kosto të tilla dhe për shkak se nuk ka marrëveshje ndërmjet anëtarëve të ndryshëm të BE-së për çështjet kryesore të marrëdhënieve ndërkombëtare. Shpresa është që tronditja të jetë e shëndetshme, por jo aq e dhunshme sa të shkaktojë një garë të çrregullt, individuale kundër Uashingtonit, përndryshe, procesi i integrimit rrezikon të dobësohet më tej”.

Lindja e Mesme

Përsa i përket Lindjes së Mesme, është e mundur që Trump “të punojë për të rigjallëruar të ashtuquajturat Marrëveshje të Abrahamit. Aq shumë sa që edhe vendet e moderuara sunite janë, ndoshta, në këtë linjë. Izraeli duhet të jetë i kujdesshëm që të mos zbatojë veprime të tepruara përtej një kufiri të caktuar, për shembull ndaj Iranit, si dhe të mos kompromentojë përfundimisht këtë mundësi. Unë pres – vijon ambasadori – që konfrontimi me Iranin të bëhet më antagonist, duke vënë bast në faktin se dobësia e Teheranit, tani për tani nuk do të çojë në luftë të hapur me Izraelin, edhe sepse ajatollahët e dinë se do ta humbasin”.

Emigracioni

Një nga çështjet më delikate do të jetë emigracioni, i cili krijon ballafaqime me Amerikën Latine. “Do të synohen masat e frenimit të dukshëm, siç është paralajmëruar disa herë; nga ana tjetër, parimi i shkëmbimit do të zbatohet në një farë mënyre edhe në kontinentin e Amerikës Latine. Sjelljet e favorshme për interesat amerikane do të hapin mundësinë e një marrëdhënieje që merr parasysh interesin ekonomik të palës tjetër”.

Indo-Paqësori

Ndërmjet figurave të ndryshme me interes në tabelën globale të shahut, sot prioriteti strategjik i SHBA-së është sigurisht Indo-Paqësori. Duke pasur parasysh gjendjen aktuale ekonomike të Kinës dhe marrëdhëniet e ndërvarësisë ndërmjet Pekinit dhe Uashingtonit (që zbut shanset për një konflikt të hapur dhe të drejtpërdrejtë), “ne presim një qëndrim muskulor, të përbërë nga detyra, mbrojtje, tarifa – për të parandaluar që “industria amerikane të vuaj disavantazhe të tepërta – por ndoshta në një fazë pas një përpjekjeje për të ringjallur marrëveshje tregtare, për të cilën qe synuar të punohej në fund të presidencës së parë të Trump”.

Asnjë vend nuk mund të mbetet pa aleatë

Një gjë është e sigurt: siç tha George H.W. Bush – një nga të paktët presidentë amerikanë të cilit nuk iu dha nderi i rizgjedhjes – “asnjë brez nuk mund t’i shpëtojë historisë”, ose më mirë, përballjes me një realitet që është domosdoshmërisht në zhvillim e sipër. “Dhe realiteti përgjithësisht çon në zbutje: sepse asnjë vend nuk mund të pretendojë të mbetet pa aleatë dhe të ndihet i sigurt pa aleatë, madje as SHBA-të e Trump”, përfundon Massolo.

SHKARKO APP