Shefja e misionit të ODIHR, takim me kreun e KQZ-së për zgjedhjet e 25 prillit
Pas takimit me kryeministrin Edi Rama, me kreun e PD-së, Lulzim Basha dhe me kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi, shefja e misionit të ODIHR Ursula Gacek, ishte edhe në zyrën e kreut të KQZ-së, Ilirjan Celibashi.
Takimi i tyre ka zgjatur rreth një orë, ndërsa ende nuk dihen detaje konkrete por sigurisht që fokusi ka qenë procesi zgjedhor. Gacek do të qëndrojë në vendin tonë edhe dy ditë të tjera, ku në përfundim të misionit do të përpilohet edhe raporti përfundimtar për zgjedhjet 2021. Më herët në një raport paraprak ajo tha se shitblerja e votës në vendin tonë është një problem i madh dhe duhet luftuar.
“Ne vijomë të gjejmë shembuj të shitblerjes të votave. Është e rëndësishme që votuesit të kenë besim, shitblerja e votave ka qenë problem dhe duhet luftuar. Nuk është e lejuar dhe dihet që nuk do të lejohet, kjo bën që shqiptarët të humbin besimin në sistemin zgjedhor nëse vijohet me shitblerje të votave. Do të shohim nëse është rikthyer besimi tek shqiptarët apo jo”, ka thënë ajo.