Shefja e Onkologjikut: Depistimi i hershëm ka rritur zbulueshmërinë ndaj kancerit të gjirit
Në muajin tetor, i njohur tashmë si muaji i sensibilizimit për parandalimin e kancerit të gjirit, shefja e shërbimit Onkologjik në Tiranë, Dr. Silvana Çeliku përcjell mesazhe shprese dhe kurajoje për të gjitha gratë që përballen me sfidën e kancerit të gjirit, ndërsa bën apel për të kryer ekzaminimet e nevojshme.
Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), Dr. Çeliku shprehet se “kanceri i gjirit vazhdon të njohë rritje të vazhdueshme në vite. Në 5-vjeçarin e fundit kemi një rritje domethënëse. Nëse para 4-5 viteve kishim 400-500 raste në vit, vitin e fundit janë rreth 730 raste”.
“Vetëm në shërbimin tonë janë trajtuar 620 raste me kancer gjiri tek femrat dhe 8 raste me kancer gjiri tek meshkujt”, bën me dije Çeliku.
Krahas faktorit gjenetik, ndryshimit të stilit të jetës dhe rritjes se moshës mesatare, programi i depistimit në të gjithë vendin ka rritur zbulueshmërinë e kanceri tē gjirit.
Mjekja e njohur nënvizon se ka një rritje të sensibilizimit të grave dhe vajzave për kontrollet periodike.
“Pavarësisht të gjitha masave, depistimeve apo vizitave periodike që bëjnë gratë, kjo sjell edhe diagnostikimin e më shumë rasteve. Duke qenë se kemi rritje të ndërgjegjësimit të pacienteve, kemi më shumë ekzaminime, mamografi, ekografi me diagnozë të sëmundjes në faza të hershme, gjë që bën të mundur më pas edhe trajtimin më të mirë të tyre, rritjen e jetëgjatësisë së këtyre grave për t’iu rikthyer normalitetit të jetës “, nënvizon Çeliku për ATSH.
Sipas saj, ka disa kategori grash që janë më të rrezikuara nga kanceri i gjirit.
“Të gjithë aktorët e shëndetësisë duhet të jemi aktivë gjatë gjithë vitit sepse fjalët që ne themi për këto gra janë që ta duan sa më shumë jetën. Kjo do të bëjë të mundur edhe ndërgjegjësimin më të madh të tyre për të shkuar për t’u vizituar dhe për ta kapur këtë sëmundje më herët, sidomos ato gra që kanë në familjen e tyre histori familjare të nënave, motrave, hallave e tezeve duhet të jenë më të kujdesshme për të bërë vizita periodike sepse probabiliteti për t’u prekur nga kjo sëmundje është më i madh”, deklaron Çeliku në intervistën për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Shefja e Spitalit Onkologjik i bën apel të gjitha vajzave dhe grave të kryejnë rregullisht kontrollet për parandalimin e kësaj sëmundje.
“Apeli im drejtuar të gjitha grave, nënave e vajzave shqiptare: Jeta është një diamant me vlera të mëdha dhe të paçmuara, ndaj për këtë gur të çmuar duhet të kujdesemi shumë, në mënyrë që ta bëjmë jetën tonë sa më të bukur, sa më të shëndetshme, me sa më pak sëmundje në trup sepse në këtë mënyrë do të jemi më pranë bashkëshortëve tanë, nënave, baballarëve dhe fëmijëve tanë. Shoqëria shqiptare ka nevojë për këtë forcë të madhe që është gruaja shqiptare”, apelon Çeliku.
Tetori është kthyer në simbolin e ndërgjegjësimit për më shumë vëmendje ndaj këshillave të mjekëve, për të shpëtuar më shumë jetë.
Me sloganin “Ia vlen të jetosh”, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka ndërmarrë një fushatë kombëtare ndërgjegjësimi me qëllimi rritjen e numrit të ekzaminimeve për kapjen e hershme të kancerit të gjirit. /k.s/j.p/
ATSH