Shehi: Reforma nuk zgjidh problemet, do kemi zgjedhje minimaliste për të larguar Ramën dhe grupin e tij
Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, deklaron se reforma zgjedhore duhet të mbyllet brenda 31 majit për të shkuar sa më parë në zgjedhje.
I ftuar në Rtv Ora, Shehi thotë se kyçe në diskutimet mes palëve është pranimi i qeverisë tranzitore.
Shehi: Të mbyllen pjesa më e madhe dhe e rëndësishme e këtyre temave. Ligjet kanë qenë gjithmonë të mira, por kur ka qenë atmosfera e mirë, politikisht e qëndrueshme, vjedhjet kanë qenë më pak. Vjedhjen nuk ka ligj që e shpëton. Disa prej këtyre ndryshimeve duhen bërë, janë të nevojshme por shumë garanci nuk është se kemi. Kemi kërkuar një qeveri tranzitore si elementi kryesor që mund të garantojë diçka. Ideja kryesore e opozitës kjo është, pjesa tjetër janë kompensime. Do ta shikojmë deri ku kanë shkuar negociatat dhe dakortësia. Por kjo është një çështje që duhet mbyllur, të shkojmë sa më parë në zgjedhje.
Po çfarë e garanton mostjetërsimin e votës?
Shehi: Të largojmë duart e pista nga interesat ekonomike. Duhet thyer kjo makineri perverse që të fillojmë të besojmë në zgjedhje të lira. Të bëjmë çfarë është e mundur ligjërisht për të pamundësuar vjedhjen e zgjedhjeve. Kur bëhët një marrëveshje kompromis është. Opozita është tërhequr shumë. Nuk kam shpresë të madhe që ky ligj që po bëhet me shpejtësi siç është bërë gjithmonë do të zgjidhë problematikën zgjedhore por do të ndihmojë të bëhen zgjedhje minimalistë, të largohet zoti Rama me gjithë grupin e vet në pushtet. Mbrapa Shqipëria ka nevojë për një rrugë të gjatë për të ringritur institucionet, përfshirë dhe këto zgjedhore.