Shehu: Ata që plasën “bombën biologjike”, po e lënë Gjirokastrën në mëshirën e fatit!
Ish-deputeti i Partisë Demokratike në qarkun e Gjirokastrës, Tritan Shehu, deklaron se ata që plasën “bombën biologjike” të koronavirusit, tashmë po e lënë Gjirokastrën në mëshirën e fatit!
“Ata që plasën “bombën biologjike”, po e lënë Gjirokastrën në mëshirën e fatit! Ndërsa Rama, Qeveria, Komiteti e Prokuroria heshtin… Qarku i Gjirokastrës vazhdon në nivele shumë të larta infektimesh edhe në testimet e pakta të sotme, duke arritur një pozitivitet të tyre rreth 50%! Një amulli e plotë, ankth, të sëmurë që kërkojnë ndihmë dhe Oksigjen, apo që nisen drejt Tiranës, kjo është gjendja aty që prej shpërthimit të efekteve të asaj “bombe” propagandistike të Rilindjes.
Dhe përgjegjësit e atij akti të papërgjegjshëm, së bashku me shefat e tyre në Tiranë, vazhdojnë të heshtin, veçse për ta fshehur atë çfarë ndodhi, duke realizuar kështu një vepër penale, shumë më të rëndë se e para:
—Numri testimeve PCR vazhdon shumë i ulët, pa asnjë gjurmim, ndjekje kontaktesh apo debistim të gjerë imunologjik, kur duheshin tashmë rreth 1500 teste “tampon” në ditë, gratis.
—Pacientët, apo personat e kontaktit të ngushtë me ata janë të detyruar të shkojnë në dyqane, farmaci, lëvizur, etj., duke shtuar kështu infeksionet, kur duhej organizuar një mbështetje e këtyre shërbimeve në shtëpi.
—Mjekimi ambulator vazhdon me alo-alo, me të gjitha shpenzimet mjekuese e diagnostikuese mbi pacientin, kur me një vendim të posaçëm nga shkaktarët duhej realizuar gjithçka masivisht e gratis.
—Asgjë e organizuar për mjekimin e në shtëpi, sigurimin aty të procedurave, apo dhe burimeve të oksigjenit.
—Ndërkaq spitali i Gjirokastrës, që “bombë-hedhësit” duhej ta kishin aktivizuar prej kohësh, vazhdon i mbyllur për këta pacientë, që detyrohen të “marrin rrugët” për Tiranë me një ngarkesë të madhe financiare e emocionale, për të mos folur për mbingarkesën e spitaleve Covid në Kryeqytet.
Kjo është tragjedia e Qarkut të Gjirokastrës këto ditë, tragjedi e krijuar nga dora e pa përgjegjshme dhe e thelluar nga heshtja kriminale, tragjedi që duhet përballuar duke e shpallur atë Qark si “Zonë e rrezikut të veçantë”, me një program konkret mbështetjeje”, shprehet Shehu.