Shehu: Rama hesht tani që Greqia zgjeron ujërat e saj territoriale në 12 milje në Detin Jon

Ish-kreu i diplomacisë shqiptare Tritan Shehu deklaron se kryeministri Edi Rama tani po hesht që Greqia zgjeron ujërat e saj territoriale me 12 milje në Detin Jon.

E ndërsa sqaron se Greqia është në të drejtën e saj të bëjë përpjekje të tilla, Shehu thekson se çështja qëndron te Rama, i cili dje anatemoi deri sa e rrëzoi Marrëveshjen e vitit 2009, që sipas tij është më e mira e mundshme e realizuar e me distancë 6 milje.

Më tej, thotë ish-deputeti i PD-së, Rama pengoi dërgimin në Hagë në mirëkuptim të të dy palëve të çështjes kur dhe Greqia në atë periudhë nuk e kundërshtonte, duke kaluar nga shkatërrimi aventuresk i marrëdhënieve strategjike me atë vend, në humbje të plotë dinjiteti me “këngë e valle”.

Reagimi i Tritan Shehut

Rama hesht tashti që Greqia zgjeron ujërat e saj territoriale në 12 milje në Detin Jon!

Që në fillim dua të theksoj se në parim është e drejta e Greqisë të bëjë përpjekje të tilla.

Çështja qëndron te Rama, i cili dje anatemoi deri sa e rrëzoi Marrëveshjen e vitit 2009, më e mira e mundshme e realizuar e me distancë 6 milje, më tej pengoi dërgimin në Hagë në mirëkuptim të të dy palëve të çështjes kur dhe Greqia në atë periudhë nuk e kundërshtonte, duke kaluar nga shkatërrimi aventuresk i marrëdhënieve strategjike me atë vend, në humbje të plotë dinjiteti me “këngë e valle”.

Janë pikërisht këto veprime absurde e të qëllimshme rilindase në politikën e jashtme e Rajonale, që i kanë sjellë vendit tonë dëme të pallogaritshme në marrëdhëniet e pozicionin tonë, në procesin tonë të integrimit e humbjen e rolit për stabilitetin e Rajonit, rol që tashmë i ka kaluar Vuçiç-it.

Janë këto pasojat e një politike të tillë kokëposhtë të kësaj “Rilindje”-je prej periudhës në opozitë të saj, që sot e kanë komplikuar dhe e komplikojnë shumë gjendjen në Rajon, pozicionin tonë, duke vështirësuar zgjidhjen përfundimtare të çështjeve të hapura, duke na handikapuar në rol.

Kjo Qeveri në “ikje”, përgjegjëse direkte për çfarë “gatoi”, tashmë nuk ka as tagrin, as të drejtën morale, politike, a legale të negociojë për të tilla çështje, që përfundimisht do të gjejnë zgjidhje me Qeverinë e re demokratike, nën një frymë bashkëpunimi e përgjegjshmërie të thellë, që do të forcojë stabilitetin e Rajonit e do të vendosë përsëri vendin tonë në pozicionin e domosdoshëm për këtë.

SHKARKO APP