Shehu: Rama përpiqet të fshehë dështimin me disa “thërrime vaksinash” të rrethuara me plot “hije”!
Ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu, deklaron se kryeministri Edi Rama po përpiqet të fshehë dështimin me disa “thërrime vaksinash” të rrethuara me plot “hije”.
Përmes rrjeteve sociale, Shehu shprehet se në një kohë kur Shqipërisë që të mbyllë këtë proces i duhen rreth 5,5 milionë doza, kjo nuk mund të korrigjohet me 970 të djeshmet dhe këto si “lemoshë” e pa adresë zyrtare dërgimi.
“Rama përpiqet të fshehë dështimin me disa “thërrime vaksinash” të rrethuara me plot “hije”!
1-Dje ai e pranoi atë që i kemi thënë prej kohësh: “Mos u bazo vetëm te COVAX, kontrakto direkt me kompanitë, lidhu me vendet e BE”, por fatkeqësisht tashti kemi humbur kohë, që konvertohet në jetë, shëndet dhe ekonomi.
Kur Shqipërisë që të mbyllë këtë proces i duhen rreth 5,5 milionë doza, kjo nuk mund të korrigjohet me 970 të djeshmet dhe këto si “lëmoshë”, e pa adresë zyrtare dërgimi.
2-Por më keq akoma, Kryeministri është rasti unik në Europë, që megjithë insistimet e shumta nuk deklaron prejardhjen e certifikatën e origjinës të kësaj vaksine, gjë që bie ndesh me ligjet, Sigurinë Medikamentoze, transparencën në përgjithësi.
3-Asnjë donator i botës demokratike, vend i BE-së, siç thotë Rama, kompani serioze farmaceutike, nuk do ta kërkonte kurrë këtë “fshehtësi” edhe ndaj “lypsarëve”.
4–Sipas rregullave evropiane, të gjithë ata që vaksinohen duhet të sqarohen për certifikimin dhe origjinën e vaksinës, përveç elementeve të tjerë.
Dje në Tiranë nuk ndodhi kështu! Përkundrazi, edhe një mjek që ishte vaksinuar çuditërisht sot deklaron se “nuk e mësoi dot nga ka ardhur vaksina”, gjë që lidhet me një sërë aspektesh të së drejtës e të Vigjilencës Farmaceutike!
U konstatua vetëm një propagandë tipike për sektet okulte, pa asnjë sqarim zyrtar, që për një procedurë kaq delikate teknike, profesionale, shkencore e për shëndetin, tingëllon si truke “të botës së errët”.
Kjo gjendje anormale që kërkon një sqarim publik, duhet të shqetësojë edhe autoritetet e BE-së, ato të kompanisë “Pfizer-BioNTech”, ato të OBSH-së e të shtetit serioz gjerman, nga ku përflitet se ka ardhur “dorazi” me carter, gjë që është krejt kundër çdo rregulli teknik e legal, veçanërisht për këtë vaksinë”, u shpreh ish-deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu.