Shehu: Rama po trajton Shqipërinë si fundin e Botës edhe për vaksinimin
Ish-ministri i Shëndetësisë Tritan Shehu deklaron se kryeministri Edi Rama po e trajton Shqipërinë si fundin e Botës sa i përket edhe çështjes së vaksinimit të popullatës me vaksinën kundër Covid-19.
“Rama po trajton Shqipërinë si fundin e Botës edhe për vaksinimin. Vaksina Covid tashmë po troket në derë. Kompania gjermane “Biotech” do të dorëzojë dosjen e asaj vaksine komisionit CHMP te EMA për certifikim të përshpejtuar më 13 nëntor. “Pfizer” do të fillojë po rreth kësaj date procedurën urgjente me FDA. Po kështu, po avancon edhe “AstraZeneca”, aq sa Greqia që ka kontraktuar miliona doza me atë ka njoftuar personelin e saj mjekësor me risk që të jetë në gadishmëri për të filluar vaksinimin në dy javët e para të dhjetorit. Të njëjtën gjë po bëjnë dhe shtete të tjera europiane, që kanë kontraktuar tashmë dhjetëra miliona doza direkt me prodhues potencial. Ndërsa Qeveria “Rama” mburret vetëm me faktin e depozitimit sot në Kuvend të projektligjit për të marrë vaksinën nga agjencia “COVAX”. Agjencia “Covax”, siç e kam shpjeguar, është një agjenci e krijuar nga OBSh, etj., për të krijuar një balancim në shpërndarjen e kësaj vaksine kryesisht për vendet jo të zhvilluara. BE e ka financuar atë me 400 M E, pra as për 20 milionë njerëz, ndërsa ShBA e kanë bojkotuar si të pa besueshme. Kjo agjenci zotohet të sigurojë dozat e vaksinave vetëm për 20% të popullsive të vendeve që do të aderojnë si Shqipëria dhe me afat kohor deri në fund të 2021-it. A e kupton kjo Qeveri sa larg jemi?! Kësaj i thonë: “Prit gomar të mbijë bar”! Dhe vetëm për një “tufë bar” kjo! E njëjta gjë po ndodh tek ne dhe me vaksinat për gripin sezonal, që Rama u angazhua t’i sjellë me rrugë të ngjashme, por pa sqaruar kur do të arrijnë në vendin tonë e në sa transhe do të sillen?! A janë të certifikuara nga komisionet e EMA apo të FDA, etj?! Sasia e tyre e ardhur deri më sot është vetëm një “pikë në oqean”, kur nëntori po troket! Dikush duhet t’i shpjegojë kryeministrit se Shqipëria ndodhet në Europë e ai duhet të sillet me shqiptarët si qeveritë e këtij kontinenti, që e kanë kontraktuar tashmë direkt me prodhuesit vaksinën COVID për popullsitë e tyre, ose së paku, ta bënte këtë nëpërmjet atyre vendeve…”, shprehet ish-deputeti i PD-së, Tritan Shehu përmes rrjeteve sociale.