Shehu: Të vihet në lëvizje mjeku i familjes, përqëndrimi vetëm në Tiranë do shkaktojë kolaps

Ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu në studion emisionit “Tempora” në RTV Ora ngriti 3 shqetësime për situatën e koronavirusit. Sipas tij, duhet vënë në lëvizje mjeku i familjes, pasi telefonatat tek 127 do të shkaktojnë një kolaps. Po ashtu Shehu u shpreh se duhen përgatitur spitalet rajonale për të pritur të paktën 25-30 të infektuar secili. Një tjetër problem që ngriti Tritan Shehu është edhe karantinimi. Sipas tij në kushtet e Shqipërisë duhet karantinim i detyruar për personat që kanë kontakt me një të infektuar.

Tritan Shehu: Për mua është shumë e gabuar kjo që është thënë që të gjithë që kanë shqetësim të marrin 127. Kjo është vetëm amulli. Këtu duhet vënë në lojë mjeku i kujdesit parësor. Mjeku i kujdesit parësor duhet të rrijë me telefon në dorë. Kështu ndodh në gjithë botën e qytetëruar. Mjeku i familjes bën vlerësimin e parë. Por ne kemi një boshllëk të madh tek mjeku i familjes. 127 edhe nga mbingarkesa do të bëjë kolaps, po nuk u vu në lëvizje mjeku i familjes.

Hallka tjetër është hallka spitalore. Të sëmurët me komplikacione shkojnë në terapi intensive, të tjerat shkojnë tek klinikat e infektivit. Këta bazohen tek klinikat infektive të Tiranës. Unë nuk jam dakord me këtë gjë. Koncentrimi i të sëmurëve sa më shumë në Tiranë është i dëmshëm dhe do fusë në kolaps Tiranën dhe nuk do ti përgjigjet realitetit. Duhet bërë restaurimi i spitaleve infektivëve në 12 qarqe. Të bëhen gati për të mbajtur 25-30 të sëmurë. Unë nuk e di sa të sëmurë do të dalin. Askush nuk e di! Duhet të përgatitemi për variantin më të keq, po u përgatitëm për variantin më të keq i bëjmë ballë me shumë qetësi.

Problemi i tretë është karantinimi. Unë nuk jam për karantinën vullnetare për atë që kanë kontakt të afërt me të kontaminuarit. Unë jam për karantinën e detyruar për ata që janë në kontakt.

SHKARKO APP