Shella: Djemtë e rinj të repartit “Shqiponja” janë lëshuar tek popullata
Drejtori i INFOCIP, Gerti Shella thotë se duhet hetim dhe gjykim i shpejtë për policin që kreu vrasjen, por edhe për zinxhirin e komandimit dhe shtoi se reparti “Shqiponja” është lëshuar tek popullata që nuk është e skeduar.
“Ky nuk është rasti i parë. Në kohën e pandemisë, policët e repartit “Shqiponja” rrahën një adoleshent, ndërsa qëlluan me armë dhe një person tjetër, i cili, për fatin e mirë të tyre, rezultoi me precedent penal. Djemtë e rinj të repartit ”Shqiponja” janë lëshuar me gjah te popullata që nuk është e skeduar, por ndjek rutinën e jetës së përditshme”, deklaroi Shella për ”A2cnn”.
Sipas tij, të gjithë jemi të rrezikuar potencialisht nga agresiviteti i këtyre policëve. “Nuk arrij të kujtoj asnjë rast kur policë të këtij reparti kanë bërë një akt të dobishëm për qytetarët. Ky është dështim në komunikim i këtij reparti, që nuk na komunikon aktet e mira që bëjnë. Neve nuk na mbetet gjë tjetër që të mendojmë se këta lëshohen te qytetarët. Asnjë drejtues i këtij reparti nuk ka mbajtur përgjegjësi morale. Duhet çmobilizuar ky repart, derisa të dalë përgjegjësia në zinxhirin e komandimit”, shtoi Shella.