Shella: Kriminelët vriten, por policia merret me qytetarët e thjeshtë
100 ditë kohë u ka lënë kryeministri Edi Rama policisë për të gjetur të inkriminuarit brenda tyre. Gerti Shella thotë se policia ka rënë pre e tutorëve të krimit. Për të policia nuk merret me kriminelët, por merret me qytetarët e thjeshtë të cilët përpiqen që të zbatojnë ligjin. Shella shpreson që fjala e kryeministrit të mos jetë fasadë teksa shton se mosbesimi që kanë krijuar qytetarët ndaj qeverisë është shumë i thellë.
“Më bën përshtypje tonet e ashpra të Edi Ramës, argumentet e renditura drejt. Mendoj se fjala e Kryeministrit, nëse lexohet jashtë sfondit apo ngarkesave që janë akumuluar, pra lexohet e zhveshur nga çdo kontekst është fjala e duhur, është sinteza e zërave të qytetarëve që kanë një presion të shtuar, jo vetëm nga krimi, jo vetëm nga shkatërrimi social, nga pronarët, por edhe vetë nga policia e shtetit e cila paguhet nga taksat e publikut për të garantuar këtë harmoni apo paqe sociale, dhe për tu dalë në mbrojtje qytetarëve të mirë.
Mendoj se Kryeministri ka folur drejt. Policia tanimë, gradualisht ka rënë pre e tutorëve të krimit, punon për kontigjentë të krimit. Po shikojmë një paradoks, që ajo që themi më shumë se një viti dy vitesh, gjen një artikulim të fortë publik si ajo e kryeministrit, dhe kur është ekzaktësisht, fjala e munguar që ka munguar për vite, ne vrap nxitohet duke thënë pse e tha sot? Raporti shumë problematik i policisë së shtetit me qytetarët dhe raporti shumë i ëmbëlsuar me ata që në fakt janë kryesisht në shkelje të ligjit, ka ardhur duke agravuar, dhe mbi këtë premisë, dita e sotme e zgjedhur për të avancuar fjalët e ashpra ndaj policisë së shtetit, është për t’u pagëzuar.
Fjalët që tha Kryeministri janë shqetësimet që ne komunikojmë çdo ditë, është pikë për pikë revanshi i krimit, i cili duket teksa ndodh në mënyrë flagrante, policia zgjedh të mos merret me kundravajtësit, zgjedh të ketë miqësi me të fortët, rri në makinë droga dhe antidroga, dhe shkon e gjen më të dobëtit dhe qytetarëve të thjesht që zgjedhin të mos bëhen banditë dhe respektojnë ligjin”.