Shella: Nuk besoj se partitë në lista do fusin elementë të krimit, përgjegjësia edhe mbi kryetarët
Në një intervistë për Ora News, drejtori i INFOCIP, Gerti Shella u shpreh se publiku shqiptar këtë herë mund të ketë një rast për tu orientuar në lista me nivelin më të ulët historik me personat që kanë probleme me drejtësinë.
Shella tha se përfshirja e personave me rekorde kriminale në lista, nuk është më vetëm përgjegjësi individuale, por edhe krerëve të partive.
Shella: Nuk besoj se partitë në lista do të jenë të pakujdesshme për të rivendosur elementë të ekspozuar të krimit. Mendoj se publiku shqiptar këtë herë mund të ketë një rast për tu orientuar në lista me nivelin më të ulët historik me personat që kanë probleme me drejtësinë. Politika në përgjithësi është nevojtare për të adresuar problemet e ditës. Besueshmëria te procesi zgjedhor kurohet duke mos i detyruar shqiptarët që të votojnë nënë çadrën e listës kriminelë. Demokracia është një proces që mësohet ditë pas dite dhe drama e vendosjes në lista të elementë kriminalë, është adresuar me ligjin e dekriminalizimit.
Po ashtu, është realizuar edhe nga partnerët ndërkombëtar me bujari u dhanë liderave që mbajtën rezervën për të hartuar edhe këtë herë listat. Kjo do të jetë tashmë që nuk shkon vetëm individualisht. Për herë të parë në vendin tonë ne kemi të ligjëruar, se nuk do të jetë më përgjegjësi individuale vetëm e atyre që nuk kanë treguar për të shkuarën e tyre, por edhe e krerëve të partisë. Kështu së paku i lexoj deklaratat e Ambasadës së Amerikës.
Shella shtoi se krahasimi me të shkuarën është në moskuptim i asaj që kërkojnë votuesit dhe në rastin më të keq është një mungesë vizioni i krerëve politikë.
Shella: Krahasimi me të shkuarën është bërë shpesh. Në rastin më të mirë është një moskuptim i pritshmërisë së asaj që kërkojnë votuesit dhe në rastin më të keq është një mungesë vizioni dhe ndoshta, një mënyrë për të luajtur me koncepte e krahasime duke kapitalizuar pikë në diskursin politik. Çdo krahasim me të shkuarën nuk na çon te e vërteta. Është mungesa e programeve të mirëfillta të garuesve që po vijnë, e cila shtyn që të krahasohen me të shkuarën.