Shembet rruga në Prekal nga moti i keq, mungesë energjie në disa fshatra në Vaun e Dejës
Në qarkun e Shkodrës po punohet për pastrimin e rrugëve kombëtare dhe rurale pas motit të keq me reshje dëbore që përfshiu veriun e vendit. Sipas Prefekturës së Shkodrës si pasojë e reshjeve, është evidentuar shembje e rrugës në aksin Ura e Shtrejtë-Prekal, në vendin e quajtur “Shkallë Logje”. Është vendosur sinjalistikë dhe aksi është bllokuar për të shmangur çdo rrezik.
Po ashtu po punohet për vlerësimin e dëmtimit dhe normalizimin e qarkullimit. Ndërkohë borëpastrueset kanë qenë gjatë gjithë natës në punë për mbajtjen e hapur të aksit Qafë Thore-Theth. Në territorin e Bashkisë Malësi e Madhe kanë pushuar reshjet dhe tre borëpastruese ndodhen në aksin Tamarë- Vermosh ku ka vende me ngrica dhe po bëhet kriposja dhe mirëmbajtja për të vijuar qarkullimin.
Në bashkinë Vau i Dejës reshjet e shiut kanë pushuar. Në disa njësi ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike, ndaj grupet e punës janë në terren për zgjidhjen e situatës. Në bashkinë Fushë-Arrëz po vijojnë reshjet e shiut me intensitet të lartë. Ka rënie gurësh dhe dherash në rrugët rurale, por akset janë të kalueshme dhe qarkullimi kryhet pa probleme.
Në bashkinë Pukë vijojnë reshjet shiut dhe fryn erë e fortë, por momentalisht nuk raportohen problematika. Ndërsa në Lezhë, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar rreth 85 mm reshje shiu. Prefektura e Shkodrës raporton se nuk ka probleme në kanalet kulluese, argjinatura, dhe digën e Rezervuarit të Shkodrës.
“Nivelet e lumenjve Buna, Drin, Kir, Gjadër dhe të Rezervuarit të Shkodrës janë nën kuotat e rrezikut për përmbytje. Hidrovoret e Velipojës (Vilun dhe Ças) janë në funksion të plotë dhe në gatishmëri për të punuar me kapacitet të plotë nëse nevojitet”, thuhet në njoftimin për shtyp.
KOHA JONË SONDAZH

