Shembet ura 2.5 km e gjatë në Maryland të SHBA-së, dhjetëra makina e njerëz bien në ujë (VIDEO)

Një aksident i frikshëm në Baltimore, shembet ura 2.5 km e gjatë pasi u godit nga një anije mallrash. Pjesë të mëdha të urës “Francis Scott Key” në Baltimore, Maryland në SHBA janë rrëzuar në ujë pasi u goditën nga anija e kontejnerëve Dali me flamurin e Singaporit.

Para se të përfundonte në ujërat e lumit, pjesë të urës u përfshinë nga flakët. Si pasojë e shkatërrimit të urës dhjetëra makina kanë përfunduar në lumë, duke rrezikuar jetën e personave që ndodheshin brenda tyre. Mediat raportojnë se ngjarja ka ndodhur në orën 01:30 sipas orës lokale.

Ekipet e shpëtimit janë duke kërkuar së paku shtatë njerëz për të cilët besojnë se janë në ujë, tha Kevin Cartwright, drejtor për komunikim në Departamentin e Zjarrfikësve në Baltimore. Ende nuk ka të dhëna konkrete për viktima por shërbimet zjarrfikëse deklarojnë se pritet të ketë një numër të lartë të personave të cilët kanë humbur jetën.

SHKARKO APP