Shembja e rrugës në Librazhd-Prrenjas paralizon tregtinë, drejtori i doganave: Lëvizjet e kamioneve përmes këtyre pikave
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja tregon masat e marra pas bllokimit të aksit Librazhd-Prrenjas. ”Për të shmangur pengesat në procedurat doganore, janë orientuar alternativa të reja lëvizjeje përmes pikave kufitare: Bllatë (Dibër) për mallrat që hyjnë nga Republika e Maqedonisë së Veriut apo përmes saj; Kakavijë për mallrat që hyjnë nga Greqia apo përmes saj. Janë ndërmarrë masa për përforcimin e kapaciteteve logjistike dhe shtimin e personelit në degët kufitare Bllatë dhe Kakavijë, me qëllim përballimin e fluksit të shtuar dhe përshpejtimin e procedurave, deri në normalizimin e situatës rrugore”, tha Beja.
Në konnferencën për shtyp, ai shtoi se pala maqedonase do të mundësojë në pikën e Bllatës kalimin e kamionëve dhe trajlerave të ngarkuar nga ora 12:00-22:00; kalimin 24 orë të mjeteve pa ngarkesë dhe kalimin e produkteve agro që kërkojnë certifikim.
“Sa i përket mallrave që kanë hyrë tashmë në territorin doganor shqiptar përmes Qafë-Thanës dhe ndodhen në aksin e bllokuar apo në ambientet doganore, zgjidhja teknike e ofruar është përdorimi i regjimit të Transitit të Jashtëm (T1), sipas Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë. Ky regjim lejon tranzitimin e mallrave nga një pikë doganore në një tjetër, përmes një territori jashtë territorit doganor shqiptar. Konkretisht, operatorët duhet të depozitojnë deklaratën doganore T1 në degën doganore Qafë-Thanë, me destinacion Bllatën (Dibër), si dhe të hartojnë një dokument transporti (CMR) për itinerarin e ri”, theksoi ai.
KOHA JONË SONDAZH

