Shembull fantastik nga “Fundjavë Ndryshe” e Arbër Hajdarit, ndihma për 8 000 familje në nevojë
Në këto ditë të vështira për gjithë vendin, ka njerëz që kanë më shumë se kurrë nevojë për ushqime dhe ndihma bazike për jetesën. Fundjave Ndryshe e Arbër Hajdarit është një nga organizatat që këto ditë ka dhënë një shembull frymëzues për gjithë të rinjtë dhe shoqërive civile duke treguar solidaritet dhe duke dhënë ndihma konkrete për atë që kanë më shumë se kurrë nevojë.
Në një kohë kur qeveria është duke përforcuar masat për frenimin e koronavirusit, fondacioni “Fundjavë Ndryshe” është pranë gjithë familjeve të izoluara. Menjëherë pas konfirmimit të rasteve të të prekurve me COVID-19 dhe shtrëngimit të masave nga autoritetet, drejtuesi i fondacionit, Arbër Hajdari bëri me dije po përgatiteshin nga fondi i emergjencës pako ushqimore dhe ndihma për mijëra familje. E prej afro një jave, stafi i “Fundjavë Ndryshe” ka nisur shpërndarjen e tyre në zona të ndryshme të vendit. Duke ruajtur kushtet maksimale të sigurisë.
Deri më tani, Hajdari konfirmon se ka nisur shpërndarja masive e ushqimeve për mbi 8000 familje të izoluara. Po ashtu, në pakot që janë shpërndarë, veç ushqimeve ndodhen dhe produkte të higjienës si sapunë, detergjente, desifektantë.
Në një kohë kur të gjithë njerëzit ndodhen në vështirësi, nevoja më e madhe vjen nga të varfrit, jetimët. Të cilët veç izolimit përballen edhe me mungesën e ushqimeve dhe nevojave bazike. Ndaj edhe fondacioni “Fundjavë Ndryshe” do të jetë pranë tyre çdo ditë, për ta përballuar të gjithë së bashku këtë situatë të vështirë.
Ndër të tjera, fondacioni ka nisur edhe një fushatë online, ku të gjithë shqiptarët mund të kontribuojnë. Pasi në këto ditë, të gjithë kemi nevojë për ndihmën e njëri-tjetrit./ TIRANA TODAY