Shëndeti mendor, Koçiu: Forcim i kapaciteteve të diagnostikimit në spitalet rajonale, rritje e psikologëve pranë QSH-ve
“Bashkë për shëndetin mendor” ishte tema e aktivitetit të zhvilluar sot në Tiranë, ku mori pjesë edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu. Ajo theksoi se aktivitete si ky janë shumë të rëndësishëm për të gjeneruar energji dhe ide të reja, si dhe për të angazhuar të gjithë qytetarët në këtë betejë gjithmonë e më vendimtare që është beteja për shëndetin mendor.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka punuar në mënyrë të vazhdueshme për të forcuar kapacitetet tona në drejtim të parandalimit, diagnostikimit, trajtimit dhe ofrimit të shërbimeve të shëndetit mendor. Aktualisht, jemi duke zbatuar një plan të detajuar veprimi 2023-2026, i cili shtrin efektet e tij në të gjithë sistemin parësor dhe atë spitalor. Kemi ngritur shërbimet alternative për persona që preken nga probleme të shëndetit mendor si dhe kemi punuar për të integruar shërbimet sociale dhe ato shëndetësore”, nënvizoi Koçiu.
Ministrja deklaroi se i është dhënë përparësi mirëqenies së mendjes duke e vendosur në qendër të axhendës dhe vizionit për shëndetësinë 2030. “Duke njohur rëndësinë kritike të shëndetit mendor, një tjetër pikë jashtëzakonisht e rëndësishme është rritja e aksesit dhe mbulimit pranë banesës. Për të arritur këtë qëllim, jemi aktualisht duke zbatuar një program kombëtar për trefishimin e numrit të psikologëve të punësuar në sistemin publik”, vijoi ajo.
Gjatë fjalës së saj, Koçiu u ndal edhe te investimet ku po vijohet me mbështetjen e buxhetit të shtetit dhe të MSHMS-së në institucionet ku ofrohen shërbime të specializuara të shëndetit mendor si rikonstruksioni i Spitalit Psikiatrik Vlorë dhe i Spitalit Psikiatrik Elbasan. “Janë fuqizuar shërbimet e shëndetit mendor në nivel komunitar, në qendrat që kanë ekipe multidisiplinore në gjendje për të trajtuar me efikasitet fëmijët dhe adoleshentët”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.