Shenjtërimi i Nënë Terezës, Kisha Katolike: 4 shtator, bota do flasë shqip

Shpallja “Shenjt” e Nënë Terezës në 4 shtator nga Papa Françesku është vlerësuar si një mesazh për mbarë botën nga Kisha Katolike shqiptare.

Sipas kreut të Konferencës Ipeshkvnore, imzot Angelo Massafra, jeta e shqiptares Nënë Terëza duhet të shërbejë si model frymëzimi në përditshmërinë e secilit.

“Ka qenë një lajm që na ka gëzuar shumë të gjithëve besoj, jo vetëm ne të krishterëve dhe katolikëve. Duke pranuar Nënë Terezën si një bijë të këtij populli”, tha Angelo Massafra.

Ndërkaq, Kisha Katolike shqiptare vlerëson se në 4 shtator, e gjithë bota do të flasë shqip.

“Të gjithë të përgatitemi për 4 shtator e që të jemi krenarë. Ndërkaq unë mendoj se mesazhi kryesor pas lajmit që na ka dhënë Papa është që të jemi dhe ne të dashur me ata që kanë nevojë”, shtoi Massafra.

Por 2016-ta është një vit plot me lajme të mira për shqiptarët, edhe sepse në fund të muajit mars ose në prill, Papa Françesku do firmosë dhe dekretin e kanonizimit të 38 martirëve të fesë.

SHKARKO APP