Shërbimet publike, Harito: Brenda vitit hapen dy qendra të integruara në Kavajë e Fier
Projekti i shërbimeve publike është duke ecur me ritme të shpejta dhe brenda këtij vitit do të hapen dy qendrat e para të integruara sipas modelit one stop shop, ku njëra do ngrihet në Kavajë, ndërsa qendra e dytë do hapet në qytetin e Fierit . Lajmi u bë i ditur nga ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, gjatë një aktiviteti të zhvilluar në mjediset e Innovation Hub, me rreth 40 të rinj nga Shqipëria dhe Kosova, pjesë e Balkans International Entrepreneurship Sumer School. “Brenda vitit do të hapen dy qendra të integruara të shërbimeve Publike. Është hera e parë që hapen qendra të integruara, ku qytetarët shkojnë dhe marrin disa shërbime nga disai nstitucione. E para do të hapet në Kavajë në muajin nëntor dhe tjetra në Fier në muajin dhjetor”, u shprehur ministrja.
Sipas Haritos fillimisht në këto qendra do të ofrohen shërbimet që përdoren më shumë nga qytetarët, si shërbimet e ZRPP, gjithë sistemi i sigurimeve shoqërore dhe disa shërbime të Fondit të Sigurimit Shëndetësor dhe sigurisht ato do të shtohen pastaj gradualisht me gjithë shërbimet e tjera. Projekti i Shërbimeve Publike është një projekt i financuar nga Qeveria Shqiptare dhe Banka Botërore dhe si i tillë ai është nën njëmonitorim të dyfishtë.
Ndërkohë është menduar një zgjidhje edhe për qytetarët, të cilët shkojnë në sportelet e institucioneve shtetërore vetëm për t’u informuar lidhur me procedurat dhe dokumentacionin që u duhet për të marrë shërbime publike. Në muajin shtator pritet të hapet një call center, që do tu japë mundësinë qytetarëve të informohen pa pasur nevojë të shkojnë në sportele. “Në fazën e parë ADISA ka marrë në menaxhim Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Tiranës, ku tashmë ofrohen shërbimet publike me standardin e ri që kemi vendosur nëpërmjet këtij projekti dhe në muajin shtator do të hapim një call center për t’i informuar qytetarët për shërbimet publike. Aktualisht 30-60% e qytetarëve që paraqiten në sportelet e shtetit shkojnë vetëm për të pyetur dhe për të marrë informacion, çka është dramatike në kuptimin e kostove të qytetarit dhe të kostove të shtetit i cili harxhon kohë, mjedise, personel, vetëm për të informuar qytetarët në sportel”, informoi ministrja Harito. H/M
KOHA JONË SONDAZH

