Sherr mes vëllezërve në emision: Ke 23 vite që mashtron, më jep lekët
Llazari në studio tregon se Preni e ka mashtruar sepse i kishte premtuar se do i jepte shtëpinë, pasi ai të largohej për në Elbasan. Por nuk ndodhi kështu sepse Preni ja shiti shtëpinë një komshiu. Konflikti thellohet edhe më shumë mes tyre, pasi Preni edhe pse nuk i dha shtëpinë i ka marrë lekët djalit të Llazarit dhe sot në studio ata përballen me njëri –tjetrin.
Komunikimi mes tyre ishte me tone të larta dhe Llazari i kërkon që t’i kthejë lekët që i ka marrë, por nga ana tjetër Preni thotë se ky është një problem që ai e ka me djalin e tij dhe jo me të.
Llazar: Muhabeti zonja Eni nuk është i sotëm, por ka 23 vjet.
Eni Çobani: Kemi që në vitin ’97?
Llazar: Po, më ka mashtruar vëllai se unë isha në atë gjendjen, dobët me 6 kalamaj.
Pren: Nuk ke mashtrim!
Llazar: Po prit o prit, më lër të flas njëherë unë tani.
Pren: Ishte konflikt, jo mashtrim. Qysh qenka mashtrim?
Eni Çobani: Por edhe konflikti, deri diku ka një mashtrim brenda.
Llazar: Më tha ‘vëlla unë do shpërngulem nga fshati do iki në Elbasan, do të lë shtëpinë. Në kohën që do iki do të fut brenda’. Dhe unë me atë kasolle, e prisha.
Pren: O zotëri më dëgjo këtu!
Llazar: Erdhi muhabeti iku, ja shiti tjetrit shtëpinë! Ti mos u nxeh fare.
Pren: Të lutem!
Llazar: Të lutem vëlla, të lutem shumë!
Pren: Kam edhe unë të drejtën time.
Llazar: Kam kaq vite s’të them as mirmëngjes, as mirëmbrëma.
Pren: Nuk është mashtrim ai që thua ti. Ti ke një farë të drejte, por jo aq sa thua ti mashtrim. Zonja Eni, problemi është ky, në ’97 unë do largohesha nga fshati në qytet dhe do ja shisja shtëpinë një komshiu që kam konfikt sot.
Eni Çobani: Kujt do t’ja shisje tani vëllait apo komshiut? Se zotëria thotë vëllait.
Llazar: Ku më foli mua dhe ja dha tjetrit.
Pren: Më dëgjo tani!
Llazar: Ik, se pate frikë po ik!
Pren: Unë vëllait doja t’ja lija shtëpinë në ruajtje.
Eni Çobani: Si në ruajtje?
Pren: 5- 6 muaj!
Eni Çobani: Po ai kishte hall për shtëpi, se jetonte në kasolle.
Pren: Isha në pazar me atë komshiun tjetër!
Eni Çobani: E dinte Llazari këtë?
Pren: Llazari e dinte. Ai nuk e mori dhe pastaj i thashë këtij do vish të rrish ti, se në 5 Tetor do iki poshtë. Ai erdhi nga data 3-4 dhe më tha shtëpinë e marr vetëm unë sepse je në tokën time dhe truallin tim. Edhe vajta i thashë këtij: Unë nga sherri po iki, ti do futesh prapë në sherr?
Llazar: Po si është trualli i atij, me 7501 ishte toka e babit tonë. Ti ja dhe nga frika më duket atij!
Pren: Jo nga frika, se ai tha përveç meje tha nuk e merr njeri shtëpinë.
Llazar: Ai ta bën mirë sot ty!
Pren: Të lutem shumë! Me pjesën tjetër ti s’ke punë!
Llazar: Si s’kam punë unë?
Pren: Se lekët ja kam marrë çunit, s’ti kam marrë ty.
Llazar: Lekët që i ke marrë çunit pse si kthen, ke 23 vjet?
Pren: Zotëri e kam me çunin, s’e kam me ty këtë muhabet.
Llazar: Po çfarë çuni ore? Çuni është i imi! Çuni më thotë në telefon merri xhaxhit lekët.
Eni Çobani: Çuni është i Llazarit!
Pren: Çuni është në moshë, nuk është i vogël,
Llazar: Dëgjo këtu ti, nuk ke faj ti! Kur s’të kapa unë…
Pren: Të lutem shumë!
Llazar: Çfarë të lutem, të lutem?
Pren: Shko atje, nuk merret muhabeti, siç e bën ti!
Llazari: Boll tani se ke 23 vjet që mashtron, bjer lekët po të them, s’më duhet mua se ç’bën ti me atë.
Pren: Ti e ke nga botëkuptimi i keq!
Llazar: Si botëkuptimi i keq?
Pren: Ik tani tek vendi!
Llazar: Më vjen zor se të kam vëlla, por e di ti çfarë do apo jo? /tvklan