Sherr për një votë në Fier, rrihet për spital komisioneri i PS-së

Katër persona goditën me mjete të forta në kokë numëruesin e Partisë Socialiste, Roland Bylyshi, 34 vjeç. Konflikti u shënua rreth orës 02:30 të mëngjesit të së mërkurës, ku si pasojë e plagëve të marra numëruesi u dërgua në Spitalin e Fierit. Sherri nisi gjatë numërimit, për një votë, që konsiderohej e pavlefshme nga njëra palë.

Detaje të reja dalin lidhur me agresorët që dhunuan numëruesin e koalicionit të majtë. Sipas Policisë së Fierit, 34-vjeçari Roland Bylyshi u dhunua nga tre vëzhgues, si dhe një kandidat për këshilltar. Kandidati i cili dhunoi numëruesin e PS-së, bëhet me dije se i përket Partisë Lëvizja e Legalitetit (PLL).

Policia është në kërkim të autorëve, ndërkohë që i dëmtuari mori mjekim në spital. Ende mbetet e paqartë se, si autorët mundën të largoheshin nga një ambient i cili është nën ruajtjen e efektivëve.

Ndërkohë që mëngjesin e sotëm kjo KZAZ rezulton e mbyllur, ndërsa procesi i numërimit u ndërpre që pas incidentit. Asnjë numërues nuk është në këtë qendër numërimi, përjashtuar efektivëve të policisë. Nuk dihen arsyet e përleshjes mes agresorëve dhe numëruesit, por dyshohet për shkak të bindjeve politike.

SHKARKO APP