Sherri mes kolegëve, Gështenja: Kërkohet një model i ri në PD, Basha e Berisha të provuar
Kreshnik Çollaku dhe Dashnor Sula patën një përplasje jo vetëm verbale, por edhe fizike në korridoret e Kuvendit. Deputeti Lefter Gështenja e ka quajtur të panevojshëm sherrin mes kolegëve.
Ai thotë se grupimi që drejtohet nga Gazment Bardhi dhe Sali Berisha nuk kërkojnë largimin e përfaqësuesit të PD zyrtare nga komisioni i Reformës Zgjedhore, por të reformatohet ky komision.
“Nuk është çështje emrash, duam që ai komision të reformatohet dhe të bëhet funksional. Grida Duma ish-kolegia jonë nuk është më deputete dhe figuron anëtare e Komisionit. Ngritja e komisioneve hetimore është e drejtë e opozitës. Neni 77 i Kushtetutës e parashikon qartë këtë kërkesë të opozitës, edhe rregullorja, nuk lënë asnjë hapësirë për ekuivok duhet apo nuk duhet. Progres-raporti i KE një nga pikat thotë se ngritja e komisionit hetimor është e drejtë Kushtetuese e opozitës, është tjetër gjë nëse dilet me dy raporte. Janë instrument për të kontrolluar qeverinë”, tha ai.
Nëse PS nuk reflekton që të miratojë kërkesat e Rithemelimit, Gështenja u shpreh se nuk do të ketë normalitet në Kuvend, por do të vijojnë kaosin.
“Nuk di të them, sepse nuk kemi një program apo project. Nuk do ketë normalitet sipas meje, në seanca dhe komisione për sa kohë kjo maxhorancë nuk lejon opozitën të bëjë detyrën e saj. Nëse maxhoranca nuk na jep një të drejtë përse ne duhet të vazhdojmë në normalitet. Historia e kësaj revolte ka nisur pas rrëzimit të kërkesës për komisionet”.