Shezai Rrokaj: Protesta e studentëve po i jep fund modelit arkaik të qeverisjes në arsim
Nga Shezai Rrokaj*
Ndryshe nga vendet e zhvilluara ku investimi në arsim konsiderohet si mjeti më dobiprurës për rritjen ekonomike dhe sociale të tyre, nuk ka dyshim se politika qeverisëse shqiptare vazhdon të jetë indiferente, për të investuar pikërisht aty ku shqiptarët dhe qeveritë e vendeve të zhvilluara kanë pritshmëritë më të mëdha. Vendin e reformave serioze dhe me impakt afatgjatë e kanë zënë improvizime, eksperimente dhe slogane që dalin si “shpikje”, risi a imitime të shëmtuara kinse prej vendeve të Unionit. Duhet ta dëgjojmë me përulësi leksionin e qytetarisë së studentëve tanë. Ata kanë vendosur të qëndrojnë në atdheun e tyre, kur politikat e ndjekura i detyrojnë të braktisin vendin kundër dëshirës. Prandaj, jo vetëm të plotësohen kushtet, por sot ftoj Kuvendin të kërkojë falje publike për mënyrën se si qeverisjet kanë drejtuar arsimin në gjithë këto vite.
Të nderuar deputetë,
Sot protesta po i thotë ndal modelit të vjetër të të ashtuquajturit kinse “bashkëqeverisje me qytetarët”, si reminishencë e sistemit totalitar, sepse përkundër sloganeve dhe makijazheve televizive me regji të kontrolluar lëngon një realitet si ky që po na shfaqet sot sy më sy.
Kjo, sepse qeveritë i kanë lidhur reformat në arsim me mandatet qeverisëse, duke prodhuar akte ligjore e nënligjore pa fund, që e kanë futur arsimin e lartë në një kaos. Reformat në fushën e edukimit, shëndetësisë, bujqësisë etj., janë reforma kombëtare dhe kërkojnë konsensus të gjerë, gjë që nuk ka ndodhur në gjithë këtë tranzicion.
Për shembull, u ndërrua sistemi i arsimit të lartë të mbështetur në Kartën e Bolonjës, ku ne jemi nënshkrues të saj me një sistem kinse anglosakson, brenda të cilit u fshehën qëllime të mbrapshta të lobimeve të caktuara (siç është kreu i 12-të), i cili prodhoi një ligj të debatuar dhe shumë problemor, që kërkonte nxjerrjen e shumë VKM-ve, urdhrave dhe udhëzimeve, të cilat edhe pas 3 vitesh nuk janë bërë operative.
U krijua konfuzion në dualizmat rektor-administrator, senat-bord; komisione për titujt që duhet të ndërrohen çdo dy vite.
Liria akademike dhe autonomia, të sanksionuara që në 1988 me Magna Carta Universitatum, ku ne kemi aderuar prej rreth 14 vitesh, dhe të garantuara në Kushtetutë janë cenuar, zoti kryeministër. Dhe nuk është si thoni ju se janë dhënë me bollëk, madje u dashkëshin riparë. Është cenuar qysh në mënyrën prepotente dhe fyese si Ju u drejtoheni profesoratit dhe studentëve.
P.sh., është shkëputur cikli i doktoratës nga dy ciklet e tjera dhe cikli i dytë është lënë jashtë financimit me fonde publike. Kryeministri duhet të jetë i qartë në këtë pikë për subvencionimin e tij. Është burokratizuar me një koncept etatist sistemi me përqendrim të 5 agjencive, në ministri, si: KALKSH-i, QSHA-ja, AKFAL-i, AKSH-i, ASCAL-i. Pastaj janë futur Bordet me përfaqësues dominancë të ministrisë. Dhe përse gjithë kjo histori? Për 10 muaj rrogë që marrin IAL-të nga fondi i pakushtëzuar. Ju hoqët përgjegjësinë e shtetit për arsimin publik: as fonde shtesë në raport me PBB-në, por edhe tarifat ua latë në derë IAL-ve, të cilat i fajësoni sot, por në thelb ato nuk kanë ndryshuar asgjë prej vitit 2014, kur i miratonte Qeveria.
Ju ndërmerrni kinse reforma pa llogaritur faturën dhe pa bërë analiza mbi pasojat. Po në vitin 2014 Qeveria mori disa vendime, që ngjallin diskutim, por pa llogaritur faturën përkatëse: 1) përjashtoi sistemin part-time dhe ndërpreu sistemin doktoral, të cilat furnizonin me financa IAL-të. Nuk u konsultuat me grupet e interesit. Bie fjala, sistemi part-time mund të kalonte si sistem edukimi në distancë, duke ngritur pragun e pranimit (nota 8 psh), apo doktoratat të kufizoheshin, por jo të ndërpriteshin. Sot më kot quhen universitete, kur me ligj ato përfshijnë sistemin doktoral.
Po këtë vit IAL-të i propozuan Qeverisë një rritje të ndjeshme të tarifave si i vetmi mjet për t’i shpëtuar falimentit, rritën gjithashtu numrin e pranimeve dhe diversifikuan kurrikulat, sepse ishin i vetmi burim për mbijetesë. Këtë faturë e paguan studentët, sepse Qeveria nuk dha asnjë grosh.
Po këtë vit Ju i rritët me VKM rrogat e rojeve private jo për të ruajtur sekretet atomike siç shpreheni me ironi, por për t’u shërbyer sipërmarrësve private, duke kaluar nga 240 mijë në 360 mijë dhe tani për këtë veprim tuajin Ju fajësoni IAL-të. Pra, Ju i bëni dhe kur kapeni në faj akuzoni të tjerët.
A e dini sa është rritur fiktiviteti me vënien e notës 6 si prag për pranimet. Nga 16% e maturantëve me notë nën 6 në 2015, në vitin 2016 ishin 12% dhe në 2017, 7,9 %.
A e dini, zoti kryeministër se nuk ka zë për kërkimin shkencor në ligjin për buxhetin e shtetit dhe se edhe shpenzimet për këtë fushë përmblidhen në zërin “Veprimtari” (social-kulturore)? A e dini pse ky zë në ligj nuk përfshihet të zëri investime, qoftë edhe nga të ardhurat, bie fjala 10%?
A e dini se keni 4 vite që premtoni për bibliotekën on line dhe më në fund shpresojmë të realizohet?
A e dini se Qeveria nuk u ka subvencionuar IAL-ve heqjen e tarifave për shtresat në nevojë dhe ky debit është shkarkuar te studentët që paguajnë?
Po kështu, a e dini se një pjesë e mirë e fondit të ekselencës për studentët i ka kaluar administratës publike, ku janë bërë “qokat” partiake?
Pra, goditja en bloc dhe fajësimi i trupës akademike është një dredhi e pasinqertë ndaj përgjegjësisë që keni për keqqeverisjen tuaj. Në demokraci përgjegjësia është individuale për këdo që shkel ligjin. Korrupsioni është vepër penale që goditet nga strukturat përkatëse dhe nga denoncimet. Më thoni, kush Ju ka penguar ta ushtroni këtë përgjegjësi?
Po përse nuk e keni bërë deri tani subvencionimin për arsimin 5% të PBB-së, (i vendosur në objektivat e Strategjisë së Arsimit Parauniveristar SAPU 2014 për vitin 2018 e në vijim), sikundër po veprojnë të gjitha shtetet rrotull nesh, por vetëm 3,2% të PBB-së?
A e dini se shpenzimet e familjeve shqiptare për arsimim kanë shkuar 4,4% të buxheteve të tyre, kur vende si Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e kanë 0.6-07%? Dhe BE-ja 2,1%? Kjo vjen sepse shteti financon më pak se çdo vend i rajonit dhe më gjerë.
Ku është fryma e partneritetit Qeverisë me IAL të në ligj, por i keni parë si vasale universitetet? A e keni një strategji zhvillimi të gërshetuar me strategjinë e formimit dhe atë të punësimit? A dini se të rinjtë sot kanë vetëm dy mundësi punësimi pavarësisht diplomës: call-center dhe shërbime ose ndryshe braktisje masive me mbi 75% që duan të ikin?
Për çfarë dialogu do të vijnë studentët, z. Kryeministër? Që Ju të bëni monolog me ta, të flisni dhe ata vetëm të dëgjojnë, siç ndodh rëndom në takimet tuaja publike dhe që pastaj t’i shisni si marrje a përballje mendimesh me grupet e interesit? Ta mësuan njerëzit këtë avaz me sukseset imagjinare në ERTV, z. Kryeministër. Është detyra Juaj të plotësoni kushtet dhe ne jemi këtu gati të bëjmë amendimet përkatëse. Edhe një këshillë, hiqni dorë nga përçarja e studentëve më të ashtuquajturit takime të të kurdisura, sepse e acaroni edhe më keq situatën.
*Fjalimi mbajtur në Kuvend
KOHA JONË SONDAZH

