Shi i dendur dhe përmbytje! Policia e Shtetit dhe OSSH kalojnë në gatishmëri: Zonat me risk më të lartë

Shqipëria është prekur nga stufia ”Ciarán”, si një pjesë e mirë e Europës. Ndaj dhe Policia e Shtetit edhe OSSH kanë kaluar në gatishmëri në të gjithë vendin. Në DPPSH dhe në çdo Drejtori Vendore të Policisë, janë ngritur grupe drejtimi të cilat kanë kaluar në gatishmëri për t’iu ardhur në ndihmë drejtuesve të mjeteve dhe qytetarëve në rast nevoje për ndihmë, dhe për të menaxhuar trafikun rrugor.

Zonat me risk më të lartë janë: Lezhë, rrugët urbane dhe rrugët interurbane lidhëse; Fushë Krujë, rrugët në zonën urbane dhe rrugët lidhëse interurbane; Tiranë, rrugët urbane dhe ato interurbane; Durrës. rrugët urbane dhe rrugët interurbane lidhëse me Tiranën dhe me pjesën tjetër jugore; Elbasan, rrugët në zonën urbane dhe rrugët interurbane lidhëse.

OSSH ka rritur gatishmërinë në zonat e prekura. Moti i keq është shoqëruar kryesisht me shtrëngata shiu dhe shkarkesa atmosferike, që sollën dëme në shtylla, prezencë uji në kabina, stakime në disa linja 35kV dhe n/stacione. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes rriti gatishmërinë me mjete transporti dhe bazë materiale, duke u përqendruar kryesisht në linjat e tensionit të lartë dhe n/stacione. Grupet e avarive ndodhen në terren dhe po ndërhyjnë në ato zona ku moti ka një përmirësim, pasi në kushte të prezencës së shiut duhet të bëjnë kujdes në zbatim të sigurisë teknike.

Sipas OSSH nga ora 14:30, rezulton se ka jashtë pune 71 fidera, ku më shumë se 85% prekin abonentë në zonat rurale. Problematika të furnizimit me energji elektrike kemi në zonat Fier, Kavajë, Tiranë, Kukës, Koplik, Gjirokastër dhe Vlorë. Probleme ka patur edhe në n/stacione, por falë reagimit në kohë është bërë e mundur rikthimi i energjisë elektrike brenda 10 minutash.

Të gjithë linjat e rrjetit elektrik që furnizojnë intitucionet e rëndësisë së veçantë, si spitalet dhe hidrovoret janë në funksion të plotë. Gjithashtu, edhe linjat e tensionit të lartë 35kV ndodhen në kushte optimale.

SHKARKO APP