Shifra alarmante në Shqipëri, 2 mijë infektime në një javë

Covid-19 vijon që të jetë i ashpër në vend. Katër viktima dhe 299 raste të reja me Covid-19 është bilanci i 24 orëve të fundit në Shqipëri. Viktimat janë një 64-vjeçar nga Elbasani, një 65-vjeçar nga Tropoja, një 77-vjeçar nga Tirana dhe një 81-vjeçar nga Gramshi. Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 271 pacientë, 16 në terapi intensive nga të cilët 9 pacientë janë të intubuar.

Rastet e fundit të të infektuarve janë zbuluar nga kryerja e 1 315 testeve ndërkohë që gjatë 24 orëve të fundit nga ana tjetër ka pasur 106 persona të shëruar. Numri i rasteve aktive tashmë i ka kaluar 8 mijë persona, ku nga këta mbi 4 100 janë raste në Tiranë.

Prej datës 19 tetor, vendi ynë ka qenë në kufijtë e 300 rasteve çdo ditë, duke bërë që në një javë të kemi mbi 2 mijë raste të reja me Covid-19. Rastet pozitive të konfirmuara në 24 orët e fundit janë identifikuar në këto bashki: 184 raste në Tiranë, 23 raste në Korçë, 12 raste në Vlorë, 11 raste në Kuçovë, 8 raste në Durrës, 7 raste në Elbasan, 6 raste në Pogradec dhe Përmet, 5 raste në Librazhd, 4 raste në Shkodër dhe Lezhë, 3 raste në Fier, Pukë, Tropojë, Sarandë, Skrapar, 2 raste në Krujë, Kurbin, Prrenjas, 1 rast në Devoll, Kukës, Kavajë, Berat, Kamëz, Mat, Fushë-Arrëz, Cërrik.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën apel qytetarëve. “Vendoseni maskën kudo në ambientet jashtë shtëpisë, ruani distancën dhe kujdesuni për higjienën, vetëm kështu mund të parandalohet përhapja e infeksionit SARS COV2. Kontaktoni me mjekun e familjes ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin 127 nëse dyshoni se ju apo një i afërmi juaj është i prekur nga Covid-19. Telefononi në linjën e gjelbër falas 0800 40 40 për të kontaktuar mjekun e familjes, për shërbim psikologjik te specializuar dhe të sigurt si dhe për çdo informacion tjetër rreth Covid-19”,-thuhet më tej në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

SHKARKO APP