Shirat e rrëmbyer dhe përmbytjet shkaktojnë viktima dhe evakuime masive në Evropën Qendrore
Numri i të vdekurve nga përmbytjet në Evropën Qendrore u rrit në tetë të dielën dhe mijëra vetë u evakuuan në Republikën Çeke pasi shirat e rrëmbyer vazhduan të dielën, duke shkaktuar përmbytje në disa pjesë të rajonit.
Një person u mbyt në Poloninë jugperëndimore, një zjarrfikës humbi jetën në Austri dhe dy persona të tjerë humbën jetën në Rumani, ku përmbytjet morën jetën e katër personave të shtunën.
Një sistem i presionit të ulët i quajtur Boris ka shkaktuar rrebeshe për ditë të tëra dhe lumenjtë kanë dalë nga shtratet nga Polonia në Rumani, ku numri i të vdekurve u rrit në pesë të dielën.
Të paktën deri të hënën parashikohen reshje të tjera shiu dhe erëra të forta. Disa pjesë të Republikës Çeke dhe Polonisë u përballën me përmbytjet më të mëdha në pothuajse tre dekada dhe disa qytete evakuuan mijëra banorë. Një çerek milioni familje çeke ishin pa energji elektrike.
Zjarrfikësi austriak humbi jetën ndërsa punonte me ekipet e ndërhyrjes së shpejtë, tha zëvendëskancelari Werner Kogler, ndërsa autoritetet e shpallën zonën që rrethon kryeqytetin Vjenën, një zonë fatkeqësie natyrore.
Një urë u shemb në qytetin historik polak Glucholazy pranë kufirit çek. Mediat lokale thanë se një shtëpi u rrënua dhe një urë u shemb në qytetin malor Stronie Slaskie, ku shpërtheu një digë, sipas institutit polak të motit.
Mbi 10,000 vetë ishin evakuuar në Çeki, tha kreu i shërbimit zjarrfikës për televizionin çek.
Përtej kufirit në Poloni, një person vdiq në qarkun Klodzko, për të cilin kryeministri Donald Tusk tha se ishte zona më e goditur e vendit pas takimit me zyrtarë në qytetin kryesor. Qyteti Klodzko ishte pjesërisht nën ujë nga vërshimi i lumit.
Zyrtarët në Glucholazy aty pranë urdhëruan evakuime herët të dielën, megjithëse përpjekjet për të mbrojtur infrastrukturën e qytetit nuk arritën të ndalonin shembjen e urës.
Në kryeqytetin hungarez, Budapest, zyrtarët parashikojnë që niveli i lumit Danub të ngrihet në gjysmën e dytë të kësaj jave në më shumë se 8.5 metra duke iu afruar një rekordi prej 8.91 metrash të vitit 2013. “Sipas parashikimeve, një nga përmbytjet më të mëdha të viteve të fundit po i afrohet Budapestit, por ne jemi të përgatitur ta përballojmë atë,” tha kryebashkiaku Gergely Karacsony./VOA/
DW: Reshjet e fuqishme shkaktojnë përmbytje në Europën Qendrore
Në disa zona në jug të Austrisë shpallet gjendje e jashtëzakonshme prej vërshimeve. Kryesisht në landin Niederösterreich të Austrisë gjendja është e rënduar.
Për shkak tëreshjeve të dendura “janë shkaktuar dhe pritet të ketë edhe më tej përmbytje masive në mbarë rajonin”, i tha zëvendëskryeministri i landit Niederösterreich, Stephan Pernkopf, agjencisë austriake të lajmeve APA. Në disa zona ka rrezik për rreshqitje toke, sepse toka është tërësisht e lagësht. Në shumë zona rrugët janë mbuluar nga uji. Një sërë fshatrash janë të shkëputur prej pjesës tjetër të vendit.
Ky land ka njoftuar ndërkohë edhe për një të vdekur prej vërshimeve. Një punonjës i zjarrëfikësit humbi jetën duke punuar me një pompë thisëse të ujit në një qilar, sikurse njoftoi shtabi i krizës.
Niederösterreich është landi i goditur më rëndë prej reshjeve dhe motit ekstrem. Në këtë land përreth Vjenës jetojnë 1,7 milionë njerëz. Natën në të gdhirë të ditës së dielë (15.09.2024) pati gati 4500 aksione të zjarrëfikësit. Në disa komuna në veri të Vjenë u desh të shpëtohen njrëzit e bllokuar nga masa e ujit nëpër shtëpi. Ekipet e emergjencës përdorën helikopterët e gomonet. Shumë banorë pranë zonave të lumenjve u lajmëruan për evakuuim që të largoheshin nga shtëpitë.
Evakuime në Çeki
Edhe në Çeki vërshimet e përmbytjet i kanë vënë në gjendje emergjence ekipet e shpëtimit. Katër vetë konsiderohen të humbur pasi i ka rrëmbyer masa e ujit. Më i prekur është rajoni në lindje të vendit në kufi me Poloninë. Gjatë fundjavës kryebashkiaku i Cesky Tesin urdhëroi evakuiimin e mijëra banorëve nga qendra e qytetit. Lumi Olsa, një degë e Oderit, rrezikon të vërshojë jashtë shtratit.
Për shkak të motit ekstrem në Çeki mbetën pa energji rreth 250.000 shtëpi, njoftoi agjencia CTK duke iu referuar furnizuesit me energji.
Reshje dhe përmbytje ka pasur edhe në Poloni e Rumani. Nga të dy këto vende njoftohet edhe për viktima një person në Poloni dhe pesë të vdekur në Rumani. Në Rumani janë dëmtuar rreth 5000 shtëpi dhe qindra njerëz u desh të shpëtohen prje vërshimeve. “Kjo është një katastrofë e përmasave epike”, tha kryetari i bashkisë së fshatit Slobozia Conachi në rajonin Galati. Janë përmbytur rreth 700 shtëpi, vuri në duke Emil Dragomir. Presidenti rumun Klaus Iohannis dekalroi: “Ne jemi konfrontuar sërish me pasojat e ndryshimit të klimës, që po bëhen gjithnjë e më fort evidente në kontinent me pasoja dramatike.”/DW/