Shitja e aeroportit te “Kastrati”. PD: Ka mungesë transparence dhe cenon sigurinë kombëtare

Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me shitjen e aksioneve të komanisë koncesionare të Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit, nga grupi kinez i “China Everbright” tek kompania shqiptare “Kastrati Group”.

Zyra e Shtypit e Partisë Demokratike thotë se ka një mungesë të plotë transparence nga qeveria për këtë çështje.

Sipas zyrës së shtypit të Partisë Demokratike, kjo është një çështje që prek sigurinë kombëtare. Në një deklaratë për “Balkan Web”, PD thotë se shpreh vendosmërinë se sapo të vijë në qeveri, çdo kontratë koncesioni, përfshirë ato ku aksionet transferohen nga një kompani në një tjetër, pa eksperiencë në sektorin përkatës, do ti nënshtrohen verifikimit sipas ligjit të ri antikorrupsion dhe antimafia që do të miratohet në ditët e para të qeverisjes së Partisë Demokratike.

Reagimi i plotë i Partisë Demokratike

Ka një mungesë të plotë transparence nga qeveria për këtë çështje. Kjo është një çështje që prek sigurinë kombëtare dhe ka interes të veçantë publik. Jemi njohur përmes medias me ndyshimin e aksionerëve të kompanisë koncesionare të Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit.

Mungesa e transparencës dhe qëndrimi absurd i Qeverisë që kjo nuk është çështje shtetërore është i paprecedentë. Aeroporti është pasuri publike. Menaxhimi i Aeroportit, si sektor strategjik, kërkon angazhimin e kompanive me eksperiencë në këtë fushë dhe që vijnë nga vende që kanë rëndësi strategjike për Shqipërinë, siç janë SHBA apo vendet e BE.

Siç ju kujtohet të gjithëve Partia Demokratike denoncoi me forcë se ligji për koncesionin e TIA u shkel që në vitin 2016, kur iu dhurua kompanisë kineze me aksione off-shore, e cila nuk kishte eksperiencë në manaxhime te tillë. Kërkesat dhe përcaktimet e ligjit janë shumë të qarta për mënyrën e kalimit të aksioneve. Shkelja e tyre përbën rrezik për sigurinë kombëtare dhe konkurencën e lirë.

Transferimi i herë pas hershëm i aksioneve, nga një kompani offshore, tek një kompani shqiptare pa eksperiencë në fushën e aviacionit civil, është shqetësuese dhe e dhënë konkrete që dikton nevojën e një hetimi të plotë, të thelluar dhe të gjithëanshëm.

Ripërsërisim vendosmërinë e Partisë Demokratike që çdo kontratë koncesioni, përfshirë ato ku aksionet transferohen nga një kompani në një tjetër, pa eksperiencë në sektorin përkatës, do ti nënshtrohen verifikimit sipas ligjit të ri antikorrupsion dhe antimafia që do të miratohet në ditët e para të qeverisjes së Partisë Demokratike.

Askush nuk do lejohet të abuzojë me pasuritë publike. Pas datës 25 Prill, me largimin e kësaj qeverie, çdo abuzim me pasurinë publike do të marrë fund dhe ato do u kthehen dhe do jenë në shërbim të shqiptarëve.

SHKARKO APP