Shkatërrohet grupi i shpërndarësve të drogës në Durrës, sekuestrohet kokainë e heroinë. Tre persona në pranga, mes tyre dhe një femër

Policia e Durrësit ka goditur një grup shpërndarësish të drogave të forta, duke sekuestruar 0.5 kg lëndë narkotike, e llojit heroinë dhe kokainë, si dhe një sasi e konsiderueshme parash, e përfituar nga shitja e lëndës narkotike.

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të realizuara për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së drogave të forta, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë, finalizuan operacionin policor të koduar “HIGH QUALITY”, të ndjekur me metoda proaktive.

Në kuadër të këtij operacioni u godit një grup që merrej me organizimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike të forta, heroinë e kokainë.

Si rezultat u vunë në pranga shtetasit:
E. Ç., 28 vjeç, banues në lagjen nr. 6 Durrës, i dënuar më parë për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve (organizatori i kësaj veprimtarie kriminale dhe poseduesi i lëndës narkotike).

F. K., 20 vjeç, shpërndarësi i lëndës narkotike, si dhe M. M., 20 vjeçe, banues në lagjen nr. 18, Durrës, bashkëpunëtore e shpërndarësit të lëndës narkotike.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin aktivitet kriminal në fushën e narkotikëve.

Shtetasi E. Ç. siguronte lëndën narkotike të cilësisë së lartë, heroinë e kokainë dhe për ta shpërndarë përdorte shtetasin F. K., i cili ndihmohej nga shtetasja M. M.

Lëndën narkotike, shtetasi F. K. e shiste në qytetin e Durrësit, me doza që varionin nga 40 deri në 100 euro një dozë.

Gjatë operacionit shtetasi F. K. u kap me 11 doza heroinë dhe 5 doza kokainë, të cilët i kishte gati për shitje.

Nga kontrolli fizik dhe kontrolli i banesave të këtyre shtetasve u bë sekuestrimi në cilësinë e provës materiale, i sendeve të mëposhtme:

244 gr. lëndë narkotike e dyshuar e llojit heroinë dhe 11 doza;
239 gr. lëndë narkotike e dyshuar e llojit kokainë dhe 5 doza;
2 peshore elektronike;
Një shumë e konsiderueshme parash (rreth 5 milion lekë të vjetra), e përfituar nga shitja e lëndës narkotike, si dhe një biçikletë që përdorte shtetasi F. K., për të shpërndarë lëndën narkotike.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim”.

SHKARKO APP