“Shkelësit e ligjit u bënë ligjbërës”. Po u tërhoq SHBA nga mbështetja ndaj SPAK, drejtësia bie!
Fran Nahzi*
Javën e kaluar, një gjykatë shqiptare e vendosi Sali Berishën, ish-presidentin dhe kryeministrin dikur të fuqishëm dhe udhëheqësin e Partisë Demokratike të opozitës, në arrest shtëpie për korrupsion të dyshuar.
Në një vend ku, për 30 vitet e fundit, një konsensus i pashprehur toleronte vetëpasurimin si një aspekt zakonor i posteve qeveritare, veprimet ligjore kanë tërhequr vëmendjen e publikut dhe kanë habitur ekspertët ballkanikë.
Pas rënies së komunizmit, shqiptarët i kthyen sytë nga Perëndimi, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara, me shpresën se këto qeveri do të ndihmonin t’i mbanin përgjegjës udhëheqësit e tyre. Publiku e kuptoi shumë mirë se qëndrimet mbizotëruese, vlerat dhe kultura politike mes liderëve politikë shqiptarë i kanë rrënjët në marrëdhëniet nxjerrëse. Në vend që t’i shohin postet qeveritare si mundësi për t’i shërbyer publikut, politikanët i kanë parë këto pozicione si shtigje për përfitime personale. Qoftë ky Berisha apo kryeministri aktual Edi Rama, liderët shqiptarë shfaqin karakteristika të përbashkëta qeverisëse. Ata vazhdimisht përpiqen të formësojnë mjetet dhe mënyrën e ndryshimeve të qeverisjes, shpesh duke i dhënë përparësi përfitimeve për bashkëpunëtorët e tyre mbi respektimin e procedurave dhe rregullave të vendosura.
Tani, pas 30 vjetësh, duket se SHBA-të mund t’i jenë përgjigjur thirrjes së tyre. Edhe pse dikur e mbështeti Berishën me entuziazëm, Uashingtoni e humbi durimin dhe dy vjet më parë e sanksionoi atë dhe anëtarët e familjes së tij për “korrupsion madhor”. Sipas Sekretarit të Shtetit Blinken, gjatë mandatit të Berishës, “ai ishte i përfshirë në akte korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimin e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij”.
Duke ndjekur këtë linjë arsyetimi, do të ishte sfiduese për Uashingtonin të identifikonte një lider ballkanik nga tre dekadat e fundit, i cili nuk duhet të kishte një fat të ngjashëm.
Megjithatë, ndryshe nga e kaluara, kur akuza të tilla nuk ishin gjë tjetër veçse një retorikë e zbrazët politike, në Shqipëri, SHBA-ja i ndoqi sanksionet duke nxitur krijimin e një subjekti të ri juridik, Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit, SPAK, të mbështetur nga një ushtri ekspertësh amerikanë të zbatimit të ligjit për të ndihmuar Shqipërinë të sjellë para drejtësisë zyrtarët e korruptuar.
SPAK synon të funksionojë si një subjekt gjyqësor i pavarur për të hetuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në nivelet më të larta të qeverisë dhe shoqërisë. Sipas ambasadës amerikane, mbi 40 persona të financuar nga SHBA-ja ndodhen në Shqipëri për të mbështetur dhe këshilluar institucionet e saj të zbatimit të ligjit dhe drejtësisë. Këtu lind pyetja: A janë krimet e zyrtarëve shqiptarë kaq të mëdha sa që ato ndikojnë në interesin jetik të SHBA-së dhe kërkojnë një ekip kaq të madh ligjor amerikan, apo kultura e korrupsionit në Shqipëri është kaq e përhapur sa e vetmja mënyrë për të zbatuar sundimin e ligjit është duke përdorur një ekip të huaj?
Shumë shqiptarë dhe ekspertë të Ballkanit besojnë se SHBA-ja e detyroi Ramën të padiste Berishën. Në fakt, Ramës i mungonte një motiv politik për të rrëzuar Berishën, pasi prania e Berishës garantonte një opozitë të dobët, të diskredituar dhe të fragmentuar, duke ndihmuar kështu në sigurimin e qeverisjes afatgjatë të Ramës. Pas vendosjes së sanksioneve ndaj Berishës dhe familjarëve të tij, zyrtarët amerikanë i theksuan vazhdimisht Ramës se ata e kishin bërë pjesën e tyre dhe tani ishte radha e tij të bënte të njëjtën gjë.
Faza e dytë përfshinte qasjen praktike të SHBA-së në formësimin e SPAK-ut, duke penguar përpjekjet e Ramës për të caktuar aleatët e tij për ta kontrolluar atë. Që atëherë, SPAK ka ndjekur penalisht dhe dënuar disa prej ministrave dhe kryebashkiakëve të Ramës për korrupsion, duke rritur pavarësinë e tij politike në sytë e publikut. Megjithatë, rasti i Arben Ahmetajt, ish-zëvendëskryeministër në qeverinë e Ramës, i cili u akuzua për një rrjet aktivitetesh korruptive që disa media spekuluan se mund të implikonin Ramën dhe disa prej drejtuesve të tij të lartë, dhe aftësia e tij për të shmangur arrestimin duke u larguar fshehurazi nga vendi ka ngritur pikëpyetje se sa lart do të shkojnë përpjekjet e SPAK kundër korrupsionit.
Nëse Shtetet e Bashkuara synojnë ta transformojnë kulturën politike mbizotëruese të Shqipërisë, do të kërkohet një prani e qëndrueshme në vend. Ndryshimi kulturor është një përpjekje afatgjatë që përfshin breza. Pra, a do ta vazhdojë SHBA-ja deri në fund këtë proces? Ne e dimë nga përvoja se SPAK ka të ngjarë të bjerë me shpejtësi nën ndikimin e liderëve politikë nëse SHBA-ja tërhiqet.
Nga ana tjetër, nëse SHBA-ja synon t’u përcjellë një mesazh liderëve aktualë dhe të ardhshëm shqiptarë dhe rajonalë se nuk do të tolerojë më korrupsionin, zbatimi i barabartë i ligjit është gjithashtu thelbësor. Nëse paditë e lidhura me korrupsionin synojnë kryesisht opozitën, mesazhi selektiv do të humbasë shpejt mbështetjen popullore. Aktualisht, SPAK po heton ish-presidentin Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij, Monkia Kryemadhi, drejtues të Lëvizjes Socialiste për Integrim në opozitë, për korrupsion të dyshuar gjatë qëndrimit të tyre në qeveritë e koalicionit të drejtuar nga Rama dhe Berisha.
Një dokument i rrjedhur i vitit 2009 nga ambasada e SHBA në Tiranë, i zbuluar nga Wikileaks, mbetet i rëndësishëm sot. I titulluar “Shkelësit e ligjit u bënë ligjbërës”, ai përshkruante korrupsionin në nivelet më të larta në të gjitha partitë. Për ta luftuar këtë në mënyrë efektive nevojitet prishja e marrëdhënieve midis elitës në pushtet dhe oligarkëve – biznesmenëve të fuqishëm që kontrollojnë ekonominë e Shqipërisë. Për ta arritur këtë, Uashingtoni dhe Brukseli duhet të zbatojnë standarde kundër korrupsionit, nëpërmjet SPAK-ut dhe ndryshe, pa marrë parasysh postet e atyre që abuzojnë me sistemin.
Vetëm duke çrrënjosur sistemin shtetëror të kapur të Shqipërisë, qeveritë e ardhshme mund të kenë një shans për të krijuar institucione që funksionojnë në interesin më të mirë të publikut.
*Fran Nahzi ka qenë drejtori i parë i fondacionit Soros në Shqipëri. Shkrimi u shkruajt për BIRN