Shkeli ligjin, Naco i heq licencën për 2 vjet noterit

 

Nasip Naço Ministër i Drejtësisë, ka urdhëruar heqjen e licencës së ushtrimit të veprimtarisë së noterit Shaban Gjoka, për një periudhë deri në 2 vjet.

Në mbështetje të fakteve të gjetura, pas një kontrolli pranë zyrës noteriale të noterit Shaban Gjoka, i cili ushtron veprimtarinë noteriale në Dhomën e Noterisë Tiranë, me objekt verifikimin e respektimit të dispozitave të ligjit nr. 7829, “Për noterinë”, i ndryshuar, si dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, u konstatua se veprimtaria e noterit Shaban Gjoka, objekt kontrolli, rezulton me shkelje. Materiali i siguruar gjatë inspektimit, iu nënshtrua analizës dhe ballafaqimit të veprimeve noteriale me dispozitat e kuadrit ligjor dhe në mënyrë të posaçme parashikimet mbi përmbushjen e detyrës së noterit”, thuhet  në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Me tej theksohet se në kuadër të luftës për parandalimin e pastrimit të parave, noteri konsiderohet si garant për çdo transaksion të pasurisë së paluajtshme.

Ligji parashikon se në llogarinë e noterit duhet të depozitohet çmimi i shitjes së pasurisë së paluajtshme deri në përfundim të procedurës së transaksionit duke përqendruar veprimet e shtetasve lidhur me tjetërsimin e pasurive të paluajtshme në zyrat noteriale.

Në këtë aspekt nga grupi i kontrollit u verifikua nëse nga ana e noterit Shaban Gjoka janë reflektuar në aktet noteriale kërkesat e parashikuara në ligjin nr.7829, datë 01.06.1994 “Për noterinë”, i ndryshuar, si dhe në Udhëzimin nr. 6915/2, datë 30.01.2012, të Ministrit të Drejtësisë e Ministrit të Financave “Mbi procedurat teknike për derdhjen e pagesës së tjetërsimit në llogarinë bankare të noterit”.

Në aktet e analizuara rezulton se noteri Shaban Gjoka në mënyrë të përsëritur ka ndjekur praktikën e hartimit të akteve noteriale për tjetërsimin e pasurisë së paluajtshme në mospërputhje me nenin 49, germa ‘ë’, të ligjit nr. 7829, datë 01.06.1994 “Për noterinë”, i ndryshuar, ku ndër të tjera parashikohet se: “…në rastet e tjetërsimit të pasurive të paluajtshme, akti duhet të tregojë edhe mënyrën e derdhjes së çmimit të tjetërsimit në llogarinë bankare të noterit…”, si dhe nuk ka zbatuar procedurat e përcaktuara në Udhëzimin nr. 6915/2, datë 30.01.2012, të Ministrit të Drejtësisë e Ministrit të Financave “Mbi procedurat teknike për derdhjen e pagesës së tjetërsimit në llogarinë bankare të noterit”,”­njofton Ministria e Drejtësisë.

Më tej theksohet se mbështetur në pikën 4 të nenit 102 të Kushtetutës, në pikën 1 të nenit 7 të ligjit nr. 8678, datë 14.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar, bazuar në nenin 7, germa ‘ç’ dhe nenit 8 të ligjit nr. 7829, 01.06.1994 “Për noterinë”, i ndryshuar, Ministri Naço ka urdhëruar marrjen e masës disiplinore heqjen e licencës së ushtrimit të veprimtarisë së noterit për një periudhë deri në 2 vjet.

SHKARKO APP