Besnik Muçin nuk mund ta shkarkojë KPA
Kolegji i Posaçëm i Apelimit dha sot një vendim ndaj Besnik Muçit, duke deklaruar shkarkimin e tij. Ajo që mbetet janë pikëpyetjet për këtë vendim. Kjo për shkak se Muçi nuk është më prokuror. Ai është tashmë anëtar i Gjykatës Kushtetuese, sepse ka bërë betimin përpara Presidentit dhe sipas nenit 129 të Kushtetutës, ka nisur punën. Problemi sërish nis nga KED, e cila e ka dërguar emrin e Muçit përpara Presidentit, i cili me të drejtë ka vendosur ta përzgjedhë. Tashmë që Muçi është anëtar i Kushtetutës, neni 128 është i qartë. Shkarkimin e tij mund ta bëjë vetëm Gjykata Kushtetuese.
Neni 128
1. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese mban përgjegjësi disiplinore sipas ligjit.
2. Procesi disiplinor ndaj gjyqtarit zhvillohet nga Gjykata Kushtetuese, e cila vendos për shkarkimin e tij kur:
a) konstaton shkelje të rënda profesionale ose etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të mandatit;
b) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.
3. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese pezullohet nga detyra me vendim të Gjykatës Kushtetuese kur:
a) ndaj tij caktohet masa e sigurimit personal “arrest në burg” ose “arrest në shtëpi” për kryerjen e një vepre penale;
b) ai merr cilësinë e të pandehurit për një krim të kryer me dashje;
c) fillon procedimi disiplinor, sipas ligjit.