Shkelja me duhanin, gjobiten 10 institucione shtetërore
Zyra e Organizatës Botërore në Shqipëri, zhvilloi një trajnim për zbatimin e ndryshimeve të reja në ligjin ”Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”, në bashkëpunim me ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Inspektoratin Shtetëror të Shëndetit.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga trupa drejtuese e ISHSH-së, ku u diskutua për një numër çështjesh që ende pengojnë zbatimin efektiv të masave të kontrollit të duhanit, që nga ekzistenca e reklamimit indirekt dhe promovimi i produkteve të duhanit e deri tek paqartësitë në interpretimin e dispozitave ligjore që lidhen me përcaktimin e hapësirave të mbyllura publike, si dhe veprimet që duhen ndërmarrë në rast të shkeljeve të përsëritura të Ligjit.
Ligji antiduhan nuk shkelet vetëm nga subjektet private, por edhe nga ato shtetërore. Inspektorati Shëndetësor Shtetëror ka gjobitur 10 institucione shtetërore nga të cilat policia, gjykata e tatimet në brendësi të të cilave janë kapur persona duke pirë duhan. Ndryshimet e fundit ligjore, që hynë në fuqi në 15 gusht të këtij viti kanë vënë në thelb ashpërsimin e masave për shkelësit e përsëritur. Përgjatë 10 muajve të parë, Inspektorati ka gjobitur mbi 400 subjekte që kanë shkelur ligjin antiduhan, shifër kjo dyfish më e lartë se ajo e vitit 2018.