Shkencëtarët: Vaksina e Oksfordit besohet se mund të parandalojë përhapjen e COVID-19
Vaksina kundër koronavirusit, e krijuar nga Universiteti i Oksfordit dhe kompania AstraZeneca, mund të rezultojë me rënie “të konsiderueshme” të përhapjes së virusit, kanë thënë shkencëtarët.
Ndikimi i vaksinave në përhapje të koronavirusit, ka qenë një e panjohur e rëndësishme, e cila mund të formësojë të ardhmen e pandemisë. Studimi, i cili nuk është publikuar zyrtarisht, ka treguar edhe se vaksina vazhdon të ketë efekt kur njerëzit presin për të marrë dozën e dytë të vaksinës, transmeton BBC.
Doza e parë ka qenë 76 për qind efektive edhe tre muaj pasi vaksina është marrë. Mirëpo ndikimi në përhapje vazhdon të jetë shumë i rëndësishëm. Nëse vaksina vetëm ju parandalon nga sëmurja e rëndë, mirëpo ende mund të merrni dhe bartni virusin, atëherë secili duhet të imunizohet, në mënyrë që të sigurohet mbrojtja. Mirëpo nëse një vaksinë parandalon edhe përhapjen, atëherë ndikimi do të ishte shumë i madh sepse secili i vaksinuar, në mënyrë jo të drejtpërdrejtë mbron edhe të tjerët që ka afër.
Studimi i kryer nga Universiteti i Oksfordit ka testuar pjesëmarrësit e studimit çdo javë, për të analizuar prezencën e virusit. Sipas studimit, nëse një person nuk ka qenë i infektuar, ai nuk e ka përhapur atë. Përgjatë studimit, numri i personave që kanë dalë pozitivë në virus, është përgjysmuar kur atyre u janë dhënë dy dozat e vaksinës./REL