Shkodër, 4 nëntor 1990, Simon Jubani sfidon diktaturën, çon meshë pas 23 vitesh ndalimi
Nga Albert Vataj
Më 4 nëntor të vitit 1990, në Kapelën e varreve katolike në Rrëmaj, Shkodër, dom Simon Jubani do të çonte t’parën mesh që prej kobit që shteti ateist i shpalli fesë dhe besimit, arsyes së hyut dhe sublimes së krijuesit më 1967. Mbi rrënajat e një persekutimi kohëgjatë dhe martirizues, fjala e Zotit rierdhi për të ringritur tempullin e lartë të komunikimit shpirtëror, të qasjes sonë eterne, për ngrohur zemrat e krisura dimrave të gjaksorit të kuq… dhe për të sfiduar diktaturën. Askush nuk do ta besonte, por ajo ndodhi kaq papritur dhe shpërtheu kaq fuqishëm, siç ngjajnë të gjithë mrekullitë e potencialeve eksploduese të shpirtit. Një kurajo prej martirësh ngrihet vullnetlirë për të kumtuar ngjalljen. Shkodra, një qytet i persekutuar do të bëhej shtegu prejnga do të riniste udhën e shëlbimit fjala e Zotit dhe vullneti hyjnor.
Fluturuan bashkë me erën e ftohtë të atij nëntori shpirtrat e mbajtur për 23 vjet të kyçur në kafazet e hekurt të ndalimit. Peshë u ngritën zemrat e atij ngazëllimi të beftë. U shndritën sytë, e lot u pikuan, kur dëgjuan fjalën e ringjalljes, kumtimin e shpresës, zërin e kushtrimeve.
Ndërmendje
Java e të shumëve, ose ditët e purgatorit. Shkodër 4 nëntor 1990. Është e shtunë, ora 9:00, shoferi Mark Morana trokiti në derën e dom Simon Jubanit dhe i tha këto fjalë: “Dom Simon, populli asht mbledhë nder vorreza dhe po të pret për meshë!.., dëshmon meshtari në një ndërmendëse të asaj kohe. “Bana gadi shpejt çka i kishte shpëtue kontrolleve dhe sekuestrimeve në shtëpinë teme, gjatë 26 vjetëve: Mesharin latinisht, nji stolë, nji kelk, nji purifikues, nji korpiral dhe nji kryq. Kur mbrrijta ndër vorre, Marku solli nji tavolinë të zakonshme e nji shtroje mbi të cilën vendosa çka nevojitej për Meshë e improvizuar. Para 300 vetve të ndodhun nder varreza, për nji Meshë të pasigurtë, ma tepër për lutje e divocjone personale, tue pastrue barna e tue përkdhelë banesën prej dheut, nga ku do të ngjallemi nji ditë me të dashtunit dhe të paret tonë”, vijon dom Simon Jubani në “ Meshët e mia” për atë ditë.
Ishte java e t’shumëve
Më 4 nëntor të vitit 1990, banorët e Shkodrës, erdhën dhe u bashkun, prej kah kishte mbërrit zani e kah amaneti i të parëve i ftonte ata në këtë javë të shumëve, për me u bashku me devocion e mirënjohje. Gjithkush guxoi, morën pjesë në ringritjen e Kapelës, në varrezat katolike të këtij qyteti, ku edhe u mbajt mesha e pare, e udhëhequr nga dom Simon Jubani. Kjo meshë shënon rifitimin e lirive fetare në Shqipëri, ringjalljen e besimit, të cilin diktatura e shtypi me zjarr e me hekur. Në themelet e kësaj kurajoje shënohet fundi i një kapitulli turpi, me të cilën komunizmi ndëshkoi jo Zotin, as fenë, por gjithë atë traditë dhe kulturë të kahershme fetare, gjithë atë përpjekje ngadhnjyese të klerikëve për dijen dhe arsimin, gjuhën dhe atdheun. Në këtë shkëndi të parë të shpresës, ndezën besimin dhe guxuan ti luten Zotit, jo ma si deri atëherë, duke u fshehur prej syve të botës.
Për famulltarinë e Shkodrës dhe të gjithë besimtarët, 4 nëntori i vitit 1990 është rikujtim i atij guximi që mundet me e jetësu vetë besimi në Zot. Kjo datë është një detyresë mirënjohjeje për të gjitha ata, që u bënë shëmbëllim i një akt solemn. Kjo meshë, shënon një veçanti më së shumti për kohën në të cilën u mbajt. Bisha e përbindshme e diktaturës po zvarrej në agoninë e vet. Në këtë cak të grahmave mund të ishte më e rrezikshme se kurrë. Por Zoti ishte me guximtarët. Kremtimi i kësaj Meshe shënoi fillimin e rënies së regjimit të diktaturës ateiste, rifitimin e lirisë fetare. Të drejtën për të besuar dhe për tu lutur pa patur droje se për këtë do të ndëshkohesh, se për këtë do duhej të paguaje një çmim të shtrenjtë.
Kush ishte dom Simon Jubani?
Po kush ishte dom Simon Jubani, ai që guxoi kaq shumë, ai që rizgjoi në vullnetet e besimtarëve Krishtin. Kalvari i gjatë i kacafytjes me komunizmin për dom Simonin fillon në vitin 1963 kur ai do të dënohej. Ai ka vuajt 26 vjet burg në Burrel, si antikomunist. Ka kaluar ditë dhe muaj në një birucë që mbante edhe emrin e tij. Ma shumë se katër vite është dergjur pa shtroje dhe mbulojë, pa ushqim dhe cigare. Vetëm me bukë thatë dhe me një racion ujë në tre vakte ai do të mbahej në jetë. Mbas ardhjes së Jozef Shtraus, me kërkesën e Tij për “lirimin e të burgosurve politik…” edhe don Simoni, është liruar nga burgu i Burrelit, më 13 Prill 1989.
Dom Simon Jubani, lindi më 8 mars të vitit 1927 në Shkodër prej një familje të devotshme katolike, e cila i fali Kishës e Atdheut dy meshtarë: martirin e intelektualin dom Lazër Jubani, i cili u helmua me arsenik nga policia sekrete komuniste në vitin 1982, dhe të guximshmin dom Simon Jubani. Me 4 maj të vitit 1958, Dom Simoni shugurohet meshtar nga Imzot Ernest Çoba, dhe dërgohet të shërbejë në Abacinë e Mirditës.
Mbas veprës Madhështore të Meshës së Parë, më 4 dhe 11 Nëndor 1990, dom Simon Jubani është i pari klerik katolik shqiptar, që është thirrur në Vatikan në një audiencë me Papën Gjon Pali II.
Për kontributin e çmueshëm mbarëkombëtar që Zoti i besoi, Universiteti i San Franciskos në Kaliforni në vitin 1991 i akordoi diplomën “ Doctor Honoris Causa” në shkenca humane me motivacion: “Protagonist i një epoke të re në Shqipëri”. Shteti i Miçiganit e ka nderuar gjithashtu dom Simonin me një “Special Tribute”. Pas rënies së komunizmit shërben për disa vite përsëri në malet e Mirditës dhe dekadën e fundit me përkushtim të madh dhe besnikëri shërbeu në përvujtërinë e rrëfyestores së Katedrales së Shkodrës.
Pas një hemorragjie cerebrale, në moshën 84-vjeçare, dom Simon Jubani mbylli sytë në orët e para të mëngjesit të 12 korrikut 2011 në Spitalin Rajonal të Shkodrës nën kujdesin e mjekëve, gjithnjë duke besuar se vetëm tek Zoti ka me pasë drejtësi dhe shpërblim.
Don Simon Jubani ka shkruar: “Ateizmi në Shqipni gjoja e kishte gjetë supernjeriun, Enver Hoxhen, dhe ky donte të fitonte me gjak e terror ç’ka Kisha e kishte fitue me lutje, zotësi, mund e djersë. Dhe si të gjithë tiranët që skllavnuen Popullin e Perëndisë, edhe ky mori mallkimin e Popullit të Zotit, u shtyp si miza dhe perfundoi në koshin e plehut të historisë, e megjithkëtë, salvuesit nuk kanë mësue nga historia!..
Ditët që pasuan 4 nëntorin
Me datën 6 Nëntor 1990, dom Simoni u thirrur në Degën e Brendshme të Shkodrës nga kryetari i asokohshëm, Çapajev Taçi dhe shefi policisë Dilaver Papare, të cilët e kërcënuan për të mos me thanë me datën 11 Nëntor, Meshën që kishte paralajmëruar popullin e Shkodrës me datën 4.
Dom Simoni ishte përgjigjur: “Doni a nuk doni ju, unë Meshën me 11 do ta them!” Dhe ashtu ndodhi.
Frika se mund të kishte trazira ishte e madhe ndërmendin dëshmitarët e 29 viteve më parë. Dom Gjergj Simoni dëshmonte për disa ngjarje të pazbardhura ende, që çuan deri në kremtimin e meshës solemne në Rrmaj. “Një javë përpara se t’u thote mesha e parë e 4 nëntorit 1990, në universitetin Luigj Gurakuqi kishte ardh kryeministri i atëhershëm Adil Çarçani. Duke biseduar me universitarët dhe profesorat e kishte lëshu një fjalë që në popull u duk çudi, se mund të hapen edhe kishat. Ato ditë, pas kësaj që u përhap edhe në popull kanë shkuar disa të rinj tek dom Simon Jubani. I kanë thënë a e kremtojmë një meshë tek varrezat?! Dom Simoni i ka thënë po. “Unë jam dëshmitar okular se i kam ndjekur të gjitha këto ngjarje dhe duke shkuar tek varrezat aty në afërsi ku sot është rruga “Lin Delia” mbi tarraca kam parë ngado automatikë e mitralozë. Po ashtu gjatë javës nga data 4 deri me 11, sigurimi ka thirrur shumë meshtarë të dalun prej burgjeve. Thirrën Padër Aleks Bashlin, Leon Kabashin, Gjergj Vatën e tjerë e tjerë. Ndër to, ka qenë edhe vëllai im monsinjor Zef Simoni që e kam shoqëruar deri në hetuesi tek ish-dega. Unë e kam shoqëruar dhe kam qëndruar jashtë duke e pritur për nja 2 orë.
Kur doli nga ish-dega e shoqëron deri jashtë një ish-hetues, i cili kishte shtëpinë afër nesh në një apartament. Ky ish-hetuesi nis e bisedon për meshën që pritej të kremtohej se mos të ndodhin turbullira. Nuk kanë si me ndodh turbullira i them unë, sepse në kishë nuk është vrarë kush ndonjëherë. Nëse ju i trazoni ato të rinjtë, atëherë mundet me ndodh ndonjë problem, por nëse ju i lini të qetë gjithçka ka për të shkuar përsmarit. Në të vërtetë ashtu ndodhi. Kërkush nuk i ngacmoi. Gjatë meshës dhe pas meshës unë kam parë njerëz duke qarë me lot në sy”.
4 nëntori 1990, mbeti e paharruar në mendjen e zemrën e shkodranëve dhe të të gjithë shqiptarëve, që nuk e kishin harruar Zotin, që nuk kishin mohuar fenë pas një gjysmë shekulli ateizmi e terrori shtetëror, torturash çnjerëzore, persekutimi, burgosjesh dhe pushkatimesh. 4 nëntori 1990, kremtimi i Eukaristisë që sfidoi diktaturën do të përkujtohet gjithmonë si një ditë e shënuar. Në atë datë shënon fundi i ateizmit në Shqipëri. Në këtë datë nis një erë e re për besimtarët, për klerin, për tempullin e fjalës së shenjtë. Gjithçka mbetet pas. Nata e gjatë e persekutimit, jep shpirt. Udha shërbestarëve, udha e shpresës, e devocionit rinis, për të bashkëjetuar me shtegun e çdo besimtari, për të sjellë dritën e shpresës në vatrën e çdo shëmbëllimi që krijuesi skaliti në ne.