Shkodra me Benet Becin fiton decentralizimin e funksioneve nga niveli qendror në nivel vendor
“Nga sot Bashkia Shkodër do të bëhet pjesë e projektit pilot 1-vjeçar me një sërë kompetencash të shtuara në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe bujqësisë.
Kjo marrëveshje shënon një kapitull të ri në decentralizimin e funksioneve nga niveli qendror në atë vendor.
Dua t’i falënderoj ministrat, Anila Denaj, Ogerta Manastirliu Albana Koçiu dhe Arbjan Mazniku për këtë nismë, në të cilën Shkodra është një nga katër bashkitë ku do të pilotohet një projekt i tillë.”- shkruan Benet Beci, kryebashkiak i Shkodrës.
Ndërsa ministri i Pushtetit Vendor, Arbjan Mazniku thotë se “Decentralizimi i më shumë funksioneve në fushat e arsimit, shëndetësisë dhe bujqësisë është një hap shumë i rëndësishëm drejt përmirësimit të mëtejshëm të shërbimeve për qytetarët.
Kemi siguruar që bashkitë të kenë tanimë rolin e tyre në emërimin e stafit arsimor dhe mjekësor, si edhe rol këshillimor për disa funksione të bujqësisë, duke siguruar përmbushjen më të shpejtë e më të koordinuar të nevojave komunitare dhe shërbim cilësor ndaj banorëve.
Ky projekt pilot për 1 vit, si pjesë e politikës së qeverisë për decentralizmin, do të na shërbejë të vlerësojmë mënyrën e ofrimit të këtyre shërbimeve, për të vendosur më pas për zgjerimin e kompetencave vendore”- përfundon Mazniku.