Shkodra në ”kërcënim” nga reshjet, prefektja Angoni: Jemi në gatishmëri
Pas acarit, nga nesër pritet të rikthehen reshjet e dendura të shiut në Shqipëri, ku intesitetit më i madh i tyre do jetë kryesisht në zonën veri-perëndimore. Agjencia Kombëtare e Emergjencave Civile paralajmëroi se rajoni i Shkodrës do të goditet nga reshje të shumta shiu, situatë kjo që mund të shoqërohet me përmbytje.
Prefektja e qarkut të Shkodrës, Majlinda Angoni, foli për masat që sipas saj janë marrë për të përballuar situatën. Ajo tha se strukturat janë vënë në gatishmëri të plotë për t’u kujdesur për banorët në rast nevoje.
”Pritet të kemi reshje sipas Agjencia Kombëtare e Emergjencave Civile (AKEC), që bazuar edhe tek IGJEUM, do të kemi reshje të një intensiteti të lartë, kjo na vuri para përgjegjësisë. Përqendrimi i reshjeve është në Shkodër dhe në Vaun e Dejës. Ka një mirëmenaxhim të kaskadës së Drinit, dhe kjo është dhe falë shkarkimeve që janë bërë gjatë gjithë kësaj jave”, tha ajo.
Ajo tha se ka një përmirësim të ndjeshëm të situatës nga përmbytjet e pak ditëve më parë. Sipas znj. Angoni në të gjithë qarkun e Shkodrës përllogariten sot rreth 910 hektarë tokë, e cila është mbuluar nga uji.