Shkodra shpërfaq në një ekspozitë fotosh dhe pikturash, magjinë e “Vëllezërve Kodheli dhe Kolë Idromeno”

“Kudo të jeni duke pushuar, mos e humbisni mundësinë për të vizituar Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër. Ekspozita e “Vëllezërve Kodheli dhe Kolë Idromeno – Rilindja në Artin Pamor Shqiptar” ju pret me një udhëtim magjik përmes fotografisë dhe pikturës, duke sjellë për herë të parë imazhe të papublikuara që zbulojnë pasurinë e trashëgimisë sonë kombëtare”, shkruan në postimin e tij në rrjetet sociale ministri i Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.

Kjo ekspozitë është vijimsi e një prezantimi dhe promovimi të atyre vlerave të artit pamor dhe i pasurisë sonë, i atij testamenti që duke na u besuar, na bën krenar dhe obligues që ta ruajmë dhe ta trashëgojmë si një thesar, si ajo vlerë që përfaqëson jo vetëm Shkodrën ku zu fill tradita e fotografisë dhe u lartësua në apogje arti i pikturës me korifej, por gjithë Shqipërisë, sepse “Marubi” është gjithëshqiptare, këndej e përtej caqeve administrative.

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” në Shkodër është një nga institucionet më të rëndësishme kulturore dhe artistike në Shqipëri, i dedikuar historisë së fotografisë shqiptare. Muzeu ruan dhe ekspozon trashëgiminë e pasur të dinastisë së fotografëve Marubi, një familje artistësh që kanë dokumentuar Shqipërinë për më shumë se një shekull.

Muzeu ka origjinën e tij nga Pietro Marubi, një fotograf italian që erdhi në Shkodër në shekullin XIX dhe hapi atelienë e parë fotografike në Shqipëri më 1856. Pas vdekjes së tij, dinastia Marubi u vazhdua nga asistenti i tij, Kel Kodheli, i cili më vonë mori mbiemrin Marubi. Familja, përfshirë Mati Marubi, kontribuoi me një arkiv të jashtëzakonshëm fotografish që përfshin momente historike, portrete të figurave të njohura dhe momente të jetës së përditshme shqiptare.

Arkivi i Marubit përbëhet nga më shumë se 500,000 negativë që datojnë nga shekulli XIX deri në shekullin XX. Koleksioni përfshin fotografi të periudhave të ndryshme historike, përfshirë epokat osmane, mbretërore dhe komuniste në Shqipëri. Fotot janë realizuar në teknikën e hershme të “pllakës së lagësht” (wet-plate collodion) dhe ofrojnë një pamje autentike të zhvillimeve shoqërore, kulturore dhe politike të vendit.

Muzeu luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë së fotografisë shqiptare dhe është një destinacion i rëndësishëm për studiuesit, artistët dhe turistët. Ai gjithashtu shërben si një qendër kulturore që organizon ekspozita të ndryshme, si dhe aktivitete të lidhura me historinë e artit dhe fotografinë.

Në tërësi, muzeu është një perlë kulturore që ruan kujtesën vizuale të Shqipërisë përmes objektivit të dinastisë Marubi dhe është një burim krenarie për qytetin e Shkodrës dhe për gjithë Shqipërinë.

Albert Vataj / Koha Jonë

SHKARKO APP