Shkodrani Hysen Pelinku, një nga figurat emblematike të skenës lirike shqiptare
Albert Vataj
Tradita shkodrane e artit operistik nuk mund të ishte e plotë pa emrin, kontributin, veprën dhe vlerat, e Hysen Pelinkut, talenti dhe përkushtimi i të cilit do të bënin që veprimtaria e tij krijuese të hynte në fondin e artë lirik shqiptar.
Hysen Pelinku, pas sopranos Marije Kraja, është këngëtari i dytë shkodranë që vazhdoi studimet me bursë shteti në Pesaro, të Italisë në degën kanto, të cilat i ndërpreu në vitin e tretë, për t’iu bashkuar thirrjes së atdheut për liri pas pushtimit fashist. Ai i dha shpirtjen e tij, si këngës popullore shkodrane, ashtu edhe asaj partizane. Hysen Pelinku kishte një vokal bas-bariton metalik, me një masë rezonative sa të fuqishme qa dhe tingëlluese, duke e përcjellë këtë veçori te vlera unike që e dallonte dhe e përfaqësonte.
Vlen të merret në konsideratë edhe përkushtimi i tij ndaj këngës shkodrane, kësaj tradite të pasur dhe këtij repertori të jashtëzakonshëm karakteristikash dalluese, të cilën e solli me një pasion dhe përkushtim të ndishëm shpirtëror, siç ky thesar ishte dhe rrekej t’i qasej adhuruesve të shumtë.
Ai e përcolli talentin e tij të përsosur në të dy dimensionet, si nga ana vokale, ashtu dhe ajo interpretuese. Nga të gjitha dashuritë e tamëltimit të këngës, kishte ai më të parapëlqyerën, që ishte “Cuca e Radomirës” të cilën ai ishte kompozuar, këngë të cilën me gjasa ai i’a kishte kushtuar një vajze partizane nga Luma.
Dhe vijoi rrugëtimi i Hysen Pelinkut të ngjiste shkallët në tempullin e artit tonë skenik, duke sjellë më shumë se një personalitet dhe karakter ndryshe, edhe një talent dhe përkushtim që do t’i shërbenin atij në përmbushejn e ambicies artistike.
Do të ishte 27 nëntori i vitit i vitit 1954 kur baritoni, Hysen Pelinku do shpërfaqte talentin e tij nën një interpretim virtuoz në premierën “Ivan Susanin” të Glinkës.
Hysen Pelinku u lind në qytetin e Shkodrës më 8 maj 1921. Dashurinë për muzikën dhe në veçanti për këngën popullore e trashëgoi nga nëna e tij, e cila shquhej për një zë shumë të bukur. Merr pjesë edhe në grupet amatore të qytetit të tij të lindjes, ku edhe kreu arsimin e parë. Në vitet 1928-1929 është tamburist i në shkollën fillore e më vonë edhe në grupe të tjera amatore. Në vitin 1939, Hysen Pelinku gjeti një punë si daktilografist në Radio Tirana. Aty ai mësoi t’i binte edhe kitarës dhe të këndonte me zërin e tij të veçantë, i cili tërhoqi vëmendjen e punonjësve të Radios. Në vitin 1940 u organizua një konkurs, ku mori pjesë edhe Hyseni. Në këtë juri bënte pjesë edhe këngëtarja e shquar Tefta Tashko Koço. Këtu ai fitoi një bursë për në Konservatorin e Pezaros “Rosini”. Kur ishte në vitin e dytë ai i ndërpret studimet për shkak të luftës dhe së bashku me Liza Vorfin, Behije Çelën kthehen në atdhe.
Hidhet në radhët e rezistencës dhe merr pjesë në Bgrigadën e 3-të e më pas në Brigadën e I-rë. Në maj 1944, Hysen Pelinku jep të parin koncert. Kështu nisi aktiviteti i tij artistik. Në dhjetor të vitit 1944, së bashku me Kristaq Antoniun, Jorgjia Trujën, u dha një koncert në ndihmë të të dëmtarëve të Pezës dhe të Kurveleshit. Më pas merr pjesë në koncerte të ndryshme si brenda, ashtu edhe jashtë vendit, ku vlen të përmendet Festivali i Rinisë në 1947 Çeki, turneu në Jugosllavi, Bullgari, etj në vitin 1948. Me krijimin e Filarmonisë së shtetit, ai është pjesëtar aktiv i saj.
Me themelimin e Teatrit të Operës në vitin 1953, Hysen Pelinku është ndër të parët solistë që morën pjesë që në operën e parë “Rusallka”, ku interpretoi bukur rolin e Mullisit. Për rreth 20 vjet, Hysen Pelinku krijoi një galeri personazhesh nga operat tona dhe ato botërore, duke u shquar për një nivel të lartë interpretimi dhe lojë të bukur skenike. Në fillimin e operës shqiptare, Hysen Pelinku është interpretuesi kryesor i roleve të basëve. Një figurë e realizuar mjaft mirë është edhe ajo e Suzanjinit në operën “Ivan Suzanjin” dhe në operën “Nusja e shitur” (1956), kemi një realizim tjetër të suksesshëm të Hysen Pelingut në rolin e Kacelit. Këto tre role do t’i quanin, tre kryerolet e Hysen Pelinkut, në krahasim me aktivitetin e tij të mëvonshëm, kryesisht role të dyta. Të tillë janë baroni tek “Traviata”, Zarcki “Eugjeni Onjegin”, gjyshi Ndue në “Mrika”, babai i Dritës “Pranvera”, kapitetin Cuniga “Karmen”, Alcindori “Bohema”, duka Fernand “Princesha e Çardashit”, konti Çezano “Rigoleto”, Vrana Konti “Skënderbeu”, Pandeliu “Brigada e grave”. Në operën “Dasma e Figaros” Pelinku realizon dy role të rëndësishëm, atë të kontit Almaviva (akti II, 1961), dhe Bartolos shfaqja e plotë në 1966.
Vlen të përmendet edhe puna e mirë e tij në krijimin e dy figurave komike, don Bartolo, në “Berberi i Siviljes” 1958, dhe don Paskuale në operën me të njëjtin titull të Donixetit 1959. Përveç këtyre roleve, ai ka realizuar edhe një seri koncertesh, në skena të ndryshme të vendit tonë, por me dinjitet ai është paraqitur edhe në skenat e huaja, si në 1955 në Çeki, Poloni, RDGJ, Bullgari, Rumani dhe në 1963 në Kinë. Si solist ai ka kënduar me pasion e dashuri, përveç arieve, dueteve nga opera e pjesë kompozitorë të mëdhenj, edhe këngën e bukur popullore me AKVP. Që nga viti 1962 përveç aktivitetit si solist opere, kryen edhe funksionin shtetëror me përgjegjësi n/drejtor artistik i TOB -it. Në vitin 1972 del në pension, por aktiviteti i tij artistik ka qënë në i gjatë edhe disa vite më pas. Për veprimtarinë e tij të gjatë e të suksesshme është nderuar me urdhra, “Naim Frashëri”, kl I e II-të, medalje e tituj. Është nderuar edhe me titullin e lartë “Artist i Merituar”.
U nda nga jeta në 17 tetor 1997, duke lënë pas një veprimtari të pasur krijuese dhe një përfaqësim dinjitoz krijues dhe interpretues. Emri dhe vepra e Hysen Pelinku ishte dhe do të mbetet një kontribut të artin tonë operistik.
Foto nga Ora Pelinku Hoxhaj
Me 17 tetor 1997 u nda nga jeta babai im, Hysen Pelinku, një nga themeluesit e Radio Tiranes dhe Teatrit te Operës dhe Baletit. Dua ta kujtoj sot me këtë foto te realizuar ne studion e Radio Tiranës më 3 tetor, 1946. Një grup vokal instrumental, gjate punës, koha kur transmetimet te gjitha bëheshin direkt pasi mungonin aparaturat e incizimit. Në mes të fotos, duke i rënë kitarës është Pelinku, në të djathtë në këmbë është, Llazar Morcka (kompozitor ).
Më 26 shtator 1946, në teatrin e posakrijuar të Kosovës në Prizren u shfaq premiera e komedisë “E dashura” e Vessel Borzhak, me rolet kryesore të interpretuara bukur nga Liza Vorfi (në foto), Mihal Popi, Hysen Pelinku, Behije Çela, etj. Në foto Liza Vorfi në kopertinën e revistës gjermane “Die Voche” në tetor te vitit 1938.
Autochthonous