Shkolla Europiane 2018, Balla: “Organizimi i shkollës, një nga vendimet e para të Këshillit Kombëtar të IE”
Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian (KKIE), në partneritet me Delegacionin e Bashkimit Europian, Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA), Fondacionin Friedrich Ebert dhe Fondacionin Konrad Adenauer, organizojnë në Tiranë, në datat 22-26 Tetor 2018, raundin e tretë të Shkollës Europiane.
I pranishëm në nisjen e raundi i tretë të Shkollës ishte edhe zv. Kryetari i Këshilli Kombëtar të Integrimit Europian, Taulant Balla, i cili në fjalën e tij tha se krijimi dhe organizimi i kësaj shkolle ka qenë një nga vendimet e para të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian.
Sipas Ballës, kjo shkollë, në përputhje edhe me rolin dhe përgjegjësitë e vetë Këshillit, synon të kontribuojë në trajnimin profesional, të nëpunësve civilë, studiuesve, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe të gjitha grupeve të tjera të interesit, mbi Bashkimin Europian dhe sfidat e detyrimet e procesit të integrimit europian.
“Dëshiroj të shpreh falenderim dhe mirënjohje për Delegacionin e Bashkimit Europian dhe Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë të cilët përkrahën dhe mbështetën Shkollën Europiane që në fillimet e para të saj.
Falenderime të sinqerta gjithashtu për Fondacionin Friedrich Ebert dhe Fondacionin Konrad Adenauer që i janë bashkuar kësaj iniciative të KKIE për forcimin e kapaciteteve dhe përfshirjen e të gjithë aktorëve në realizimin e reformave dhe detyrimeve të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Pa mbështetjen tuaj, nuk do të ishte i mundur realizimi i kësaj shkolle. E teksa permenda Konrad Adenauerin dhe duke degjuar perfaqesuesin e opozites, me lejoni te kujtoj nje shprehje te Tij: “Duke qene se Zoti i ka vene kufinj inteligjences se njeriut, eshte e padrejte qe nuk i ka kufizuar dhe budallallekun”, – deklaroi Balla.
Fjala e plotë e Taulant Ballës:
Jam thellësisht i kënaqur që sot fillojmë raundin e tretë të Shkollës Europiane. Krijimi dhe organizimi i kësaj shkolle ka qenë një nga vendimet e para të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, dhe pa dyshim një nga iniciativat më të rëndësishme e të suksesshme të tij. Sugurisht një falemderim të vecantë per bashkethemeluesen e kesaj shkolle Majlinda Bregu.
Kjo shkollë, në përputhje edhe me rolin dhe përgjegjësitë e vetë Këshillit, synon të kontribuojë në trajnimin profesional, të nëpunësve civilë, studiuesve, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe të gjitha grupeve të tjera të interesit, mbi Bashkimin Europian dhe sfidat e detyrimet e procesit të integrimit europian.
Dëshiroj të shpreh falenderim dhe mirënjohje për Delegacionin e Bashkimit Europian dhe Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë të cilët përkrahën dhe mbështetën Shkollën Europiane që në fillimet e para të saj. Falenderime të sinqerta gjithashtu për Fondacionin Friedrich Ebert dhe Fondacionin Konrad Adenauer që i janë bashkuar kësaj iniciative të KKIE për forcimin e kapaciteteve dhe përfshirjen e të gjithë aktorëve në realizimin e reformave dhe detyrimeve të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Pa mbështetjen tuaj, nuk do të ishte i mundur realizimi i kësaj shkolle.
E teksa permenda Konrad Adenauerin dhe duke dëgjuar përfaqësuesin e opozitës, me lejoni të kujtoj një shprehje te Tij: “Duke qene se Zoti i ka vene kufinj inteligjences se njeriut, eshte e padrejte qe nuk i ka kufizuar dhe budallallekun”.
Falenderim edhe për të gjithë aplikuesit e shumtë që e shohin Shkollën Europiane si një mundësi të mirë për forcimin e njohurive si dhe për të kontribuar me ekspertizën e tyre në fazat e ardhshme të procesit. Aplikimet kanë qenë të shumta në numër dhe ishte e pamundur ti përfshinim të gjithë por kjo na shtyn të vlerësojmë çdo mundësi për organizimin më të shpeshtë të kësaj shkolle, me qëllim trajnimin e një numri gjithmonë e më të madh pjesëmarrësish.
Ky raund i Shkollës Europiane ka një rëndësi të vecantë për vetë momentin e rëndësishëm të procesit të integrimit të vendit tonë. Këshilli Europian i qershorit, vlerësoi arritjet e qënësishme të Shqipërisë në drejtim të zbatimit të reformës gjithëpërfshirëse në drejtësi, rezultateve konkrete në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Bazuar në angazhimin dhe përmbushjen e reformave të pakthyeshme në drejtim të pesë proriteteve kyce, Këshilli dakordësoi që t’i përgjigjet pozitivisht progresit të bërë nga Shqipëria dhe rekomandimit të Komisionit Europian, duke përcaktuar rrugën drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit në qershor të vitit 2019.
Në këtë kuadër, pak javë më parë filluam zyrtarisht procesin screening, i cili shënon hapin e parë teknik në procesin e negociatave të anëtarësimit. Institucionet shqiptare në bashkëpunim me Komisionin Europian, do të shqyrtojnë legjislacionin tonë të brendshëm dhe nivelin e tij të përafrimit dhe mbi të gjitha do të identifikojnë ato fusha të legjislacionit në të cilat është e nevojshme përafrimi i mëtejshëm me legjislacionin e BE.
Ky proces i rëndësishëm kërkon krijimin e kapaciteteve të nevojshme institucionale që do të mund të përmbushin suksesshëm jo vetëm procesin screening dhe vetë negociatat, por gjithashtu do të jenë të afta ti rezistojnë edhe angazhimeve të pas-anëtarësimit.
Për këtë qëllim axhenda e këtij raundi të Shkollës, është ideuar të mundësojë një trajnim të plotë mbi të gjitha aspektet e negociatave të anëtarësimit dhe sfidat në rritje të këtij procesi. Aftësimi për negociatat e anëtarësimit duhet të përfshijë jo vetëm administratën publike, por edhe aktorët e tjerë në proces. Ky është synimi kryesor i kësaj shkolle por edhe i vetë Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, i cili synon ta zhvillojë më tej rolin e shoqërisë civile dhe gjithë aktorëve të përfshirë në cështjet e integrimit europian, duke siguruar vazhdimësinë e angazhimit të tyre në këtë proces.
Gjithëpërfshirja, si një nga kërkesat thelbësore të procesit të integrimit europian, do të jetë e suksesshme vetëm nëpërmjet rritjes së përfshirjes së gjithë aktorëve të shoqërisë dhe forcimit të vazhdueshëm të kapaciteteve të tyre në cështjet e integrimit europian. Për këtë qëllim ju ftoj të përfitoni sa më shumë nga kjo javë e Shkollës Europiane.
Ju ftoj të mësoni nga praktikat më të mira të vendeve të rajonit, por edhe të identifikoni problematikat e ndeshura prej tyre dhe të diskutoni mbi mënyrat e adresimit të hershëm e të suksesshëm të tyre.
Sfidat e reja me të cilat do të përballemi në vijim kërkojnë forcim të kapaciteteve dhe të angazhimit të të gjithë grupeve të interesit në mënyrë që të gjithë së bashku të mundësojmë avancimin e axhendës europiane të vendit.
KOHA JONË SONDAZH

