Shkrimtari i madh Ernesto Sabato në intervistë për “Koha Jonë” në Paris

(Botuar me 17 Prill 1996 në Koha Jone)

Nga Ernesto Sabato kisha lexuar kohë më parë një tregim të botuar në shqip si dhe librin e fundit të tij “Engjëlli i errësirave”, një roman tronditës që më 1977, ishte shpallur në Francë si libri më i mirë i huaj i atij viti. Mikja  Sabatos, shkrimtarja Mira Meksi, drejtuesja e fondacionit “Velija”, i cili e ka ftuar Sabaton në Tiranë për të marrë çmimin “Kadare” më kishte telefonuar para ca ditësh se Sabato kishte mbërritur në Paris, për të ardhur më pas në Shqipëri. Menjëherë, e kërkova në telefon, në hotelin e tij dhe në linjë dëgjova zërin e shtruar, të ngrohtë por të lodhur të Sabatos. – “Intervistë për “Koha Jonë” – “Me shumë dëshirë!”

E takova të nesërmen pasdite në hotel “Le Madison”, në oborrin e të cilit është monumenti i Dideroit.  Përballë duken kafeneja e njohur “Les Duex Magox” si dhe kisha e Saint Germain, kisha më e vjetër e Parisit, edhe se katedralja e famshme e Notredame. Një hotel ku ai vinte që prej 20 vjetësh dhe që i kujtonte vitet e rinisë kur studionte në Paris dhe kur mbrëmjeve kalonte në kafenetë e këtushme ku takohej me surrealistët. Kisha parasysh portretin e tij të botuar më parë në “Figaro” dhe u habita me rininë e tij, veshjen sportive, buzëqeshjen dhe mirësinë e tij edhe pse në moshën 85-vjeçare. Ai më shtrëngoi fort në krahë, me një dashuri që nuk kishte të bënte me mua por me shqiptarët në përgjithësi. Ishte një takim që ai e kishte dëshiruar vite me radhë, por që nuk mund ta realizonte, siç më tha, gjatë kohës së diktaturës shqiptare. Ishte i gëzuar gjithashtu edhe sepse shqiptarët kishin preferuar letërsinë e tij, edhe pse ai është mjaft modest dhe shpesh nihilist për romanet dhe shkrimet e tij. – Jam shumë i gëzuar që po shkoj në Shqipëri. Andej rrjedh gjaku i të parëve të mia, që nga koha e Skënderbeut! Ndjeva në zërin e tij një lloj krenarie dhe gëzimi të pazakontë. Ernesto Sabato, është një nga shkrimtarët më të mëdhenj latino-amerikan krahas Borgesit, Gabriel Markezit, Asturias dhe Kortazar. Njëkohësisht ai është një estet e filozof, që ka shkruar shumë ese dhe kritik mbi artin në përgjithësi dhe procesin krijues.  Tri janë romanet e vetme të tij por që e kanë bërë të njohur në të gjithë botën. “Tuneli”, “Alejandra” dhe “Engjëlli i errësirave”. Libri i fundit ashtu si dhe në tërësi letërsia e tij, janë të lidhura  me momente të jetës së vet këtij shkrimtari. Ai ka lindur më 24 Qershor të vitit 1911 në Rojas, jo larg Buenos Aires, ku u vendos fillimisht familja e tij. Por i jati, ishte një italian që instaloi një mulli në  Rojas. Ai quhej Don Francisko Sabato.  Studimet e mesme ai i kreu në një kolegj të La Platas, larg familjes, ndërsa ato universitare në Buenos Aires. Në vitin 1938, si doktor i shkencave fizike e matematike të Universitetit të La Platas, ai mori një bursë nga shoqata për progresin dhe shkencën, e drejtuar nga Prof.Hollsay, “çmimi Nobel”, për të mundur që të studjojë rreth radioaktiviteti në Francë. Kështu ai u nis të punonte pranë laboratorëve të Marie dhe Jeliot Currie në Paris. Më 1945, botoi romanin e tij të parë “El Tunel” dhe vlerësohet me çmimin e parë për letërsinë në Buenos Aires. Më 1948, shkrimtari Albert Kamy, merret me botimin e këtij romani në gjuhën frënge, botim i shtëpisë botuese “Gallimark” çka e bëri atë menjëherë të njohur në të gjithë botën letrare. Pas një sërë shkrimesh dhe librash kritikë dhe ese, ai boton romanin e tij të dytë “Alejandra”, apo “Sobre llo … y Tombas”, i cili vlerësohet me disa çmime ndërkombëtare. Më 1974 boton librin e tij të tretë të rëndësishëm “Abaddon El Exterminada” apo “Engjëlli i Errësirave”, duke u vlerësuar me çmimin e madh të nderit të shoqërisë së shkrimtarëve argjentinas si dhe me çmime të tjera ndërkombëtare. Sabato njihet si një autor i nderuar nga shumë çmime ndërkombëtare midis të cilave “Çmimi Servantes” në Spanjë, çmimi i “Gabriela Mistral” në Uashington, çmimi “Jerusalem” në Izrael. Ai është njëkohësisht dhe “Doctor Honoris Causa” i shumë universiteteve të botës dhe do të ishte nder për universitetin shqiptar që ai të kishte të njëjtin titull. Në hollin e hotelit, ne u ulëm për të zhvilluar një intervistë për gazetën “Koha Jonë”.

Para se t’ju takoja, pashë në një nga librat tuaj një fotografi të nënës suaj, të cilën ju e krahasoni me perëndinë dhe ku ju jeni në prehrin e saj bashkë me vëllezërit e tjerë. Fytyra e saj kishte diçka të ngjashme me gratë e Jugut të Shqipërisë të fillimit të këtij shekulli. Ishte një fytyrë stoike.

Nëna ime ka jetuar gjithnjë me nostalgjinë e të parëve të saj. Ajo fliste shqip gjithnjë me të vëllanë e saj. Madje edhe sot më kujtohen disa fjalë shqip që kanë të bëjnë me bukën, shtëpinë. Ajo rridhte nga një familje e vjetër e instaluar në Kalabri, në Magna Grecia, siç quhej atëherë, fill pas vdekjes së Skënderbeut në fshatin San. Historia e Skënderbeut e këtij princi mesjetar shqiptar më ka tërhequr gjithnjë. Jeta e tij në oborrin e Sulltanit në Stamboll, ikja me një grup kalorësish për të çliruar Shqipërinë, lufta e tij legjendare 25-vjeçare në mbrojtje të Atdheut të vet, por edhe të Evropës.  Jo më kot venedikasit e kanë cilësuar “Princ të Krishterimit”. Pra, nga mijëra familje shqiptare që shkuan në Kalabri, nën mbrojtjen e Mbretit të Napolit, mik dhe aleat i Skënderbeut, ishte edhe familja e nënës sime, e cila u vendos fillimisht në Sana Martino De Finita (përpara quhej Santo Martino De Finito). Mbaj mend që gjyshja e nënës sime quhej Maria Xhuzepina e San Marcos (fshati ku jetonin në atë kohë), një grua e hekurt dhe me karakter të fortë, por edhe një femër e mrekullueshme. Kur nëna ime ishte martuar, ajo i kishte dhënë një unazë të vjetër të familjes me inicialet M.S. pra San Marco. Këtë unazë, nëna ime, para se të vdiste ja dha gruas sime Matilda, ndërsa ajo tashmë ja ka dhënë mbesës sime që quhet Marina Sabato. Kështu kjo unazë e vjetër shqiptare shtegton nga brezi në brez.

A e keni vizituar ndonjëherë atë vend?

Po, kisha shumë dëshirë të njihja vendbanimin e hershëm të të parëve të mi dhe prandaj dhe e kam vizituar. Tashmë dua të kthehem edhe një herë, ndoshta për herë të fundit. Dua të shkoj në kujtim të nënës sime që e thërrisja “mama” dhe ta shoh patjetër atë fshat. Historia e gjyshes sime është interesante. Një shqiptar ra në dashuri me të por ajo nuk donte të martohej. Më së fundi ajo u martua me një shqiptar tjetër të quajtur Ferrari. (Ju e dini që në ato kohëra shumë shqiptarë morën mbiemra italianë, por në fakt mbiemri i tij i vërtetë ishte Papi). Në fakt nëna e saj nuk donte që ajo të martohej me të, pasi vëllai i tij ishte një prift, një qejfli femrash, por mjaft elokuent e inteligjent. E shkreta nëna ime kur shkonte në kishë, ajo qante nga fjalët e priftit elokuent dhe kur vinte në shtëpi e urrente atë. Në të vërtetë, prifti dhe vëllai i tij rridhnin nga një familje shumë e pasur shqiptare me titull “Markez”, por më pas ata e kishin humbur gjithë pasurinë e tyre. Vitet kaluan dhe gjyshi im vdiq shpejt, në moshën 40-vjeçare. Kështu shtëpia ra në krahët e nënës sime atëherë 15-vjeçare. Pikërisht në këtë kohë ata u detyruan të emigrojnë nga Kalabria në Argjentinë, si dhe shumë italianë e shqiptarë të tjerë, apo edhe emigrantë nga e gjithë bota. 80-90 për qind e popullsisë së Argjentinës janë emigrantë.

Dhe tani që shkoni në Shqipëri, çfarë ndjeni?

Emocione të forta. Mama për mua ishte një hyjni. Kjo ftesë që m’u bë ishte shumë prekëse për mua.

Ju do të merrni në Shqipëri çmimin letrar “Kadare”. A keni lexuar diçka nga vepra e Kadaresë, që konsiderohet shkrimtari ynë më i madh i kohëve tona?

Fatkeqësisht unë nuk kam lexuar veprën e Kadaresë dhe kjo për arsye se 16 vjet më parë unë kam kaluar një sëmundje që ma shkatërroi shikimin duke u kthyer në një njeri gjysmë i verbër. Unë nuk mund të lexoj, kështu i jam kthyer pasionit tim të dikurshëm, pikturës, ku në tablo të mëdha mund të hedh vizionet e mia. Unë e takova Kadarenë para jush, më duket sa një tip timid, aq edhe një personazh i fortë, me një personalitet të fuqishëm. Kam dëgjuar shumë për jehonën e veprave të tij.

Kam parasysh jetën tuaj të vështirë dhe në veçanti në momentet e diktaturës ushtarake në Argjentinë. Përse ju nuk ikët nga Argjentina në atë kohë të errët dhe të kërkonit strehim politik në Francë apo gjetkë?

Detyra ime ishte të qëndroja edhe pse e dija se rrezikoja. Nuk e di se si kam mbetur gjallë. Me sa duket ata e kuptuan se nuk mund të më zhduknin se kjo do të kishte një eho ndërkombëtare. Megjithatë, ata shumë herë më kanë kërcënuar me vdekje. Madje më kanë kërcënuar edhe me vdekjen e nipit tim. Më kujtohet një ditë kur një nga djemtë e mi më tha: “të mos harrojmë baba, se ka 30 milionë njerëz që nuk mund të ikin nga ky vend për shkak të diktaturës…” Unë personalisht nuk mund të gjykoj për ata që ikin në atë kohë. Shumë prej tyre, po të mos largoheshin dhe po të kapeshin do të torturoheshin dhe vriteshin. Ato kohë ne ikëm nga Buenos Aires dhe u vendosëm në fshat. Gjatë një kohe jetuam në një bodrum pasi kishim frikën e bombardimeve. Unë gjithnjë kam qenë kundër diktaturave, të djathta apo të majta. Të gjitha diktaturat janë të këqija. Nuk ka diktaturë të mirë apo të keqe. Diktatura është diktaturë, siç ka qenë edhe te ju.

Në rininë tuaj ju keni marrë pjesë në lëvizjen komuniste për disa vite me radhë dhe pastaj jeni larguar. Përse ka ndodhur kjo?

Fillimisht isha një anarkist bashkë me disa miq dhe shokë të mi të shkollës. Merrnim pjesë gjithnjë në manifestimet që organizoheshin kundër qeverisë apo kundër fashizmit. Pastaj hyra në lëvizjen komuniste ku qëndrova 5 vjet me radhë. Isha një idealist i idealeve komuniste. Lëvizja komuniste e Buenos Airesit më dërgoi në një kongres botëror që zhvillohej në Pragë, dhe që kryesohej nga Henri Barbys. Ishte koha kur në Moskë kishin filluar proceset kundër kundërshtarëve politikë të Stalinit. Ishte ky shkaku që unë nuk shkova në shkollat leniniste të Moskës por u ktheva në Paris, ku ndenja për një kohë në një gjendje të mjerueshme. Ditë të tëra i kam kaluar pa bukë. Një mik, një trockist, më bëri një vend në dhomën e tij dhe shpesh ne mbuloheshim me gazetat e P.K.Franceze, “Humanite”. Dhe pastaj u ktheva në Argjentinë dhe fillova studimet shkencore.

Siç e dini, pas rënies së diktaturave në Evropën e Lindjes edhe në Shqipëri është vendosur një sistem demokratik, padyshim mjaft i brishtë për momentin dhe me shumë probleme që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, pluralizmin politik dhe institucionet demokratike. Pra cila është vlera e demokracisë sipas jush?

Kryesorja në demokraci është liria e personit. Dihet që demokracia ka tri pushtete: së pari shteti, shteti ligjor me një “L”. Nuk mund të ndërtosh një demokraci pa ligje demokratike. E dyta, është drejtësia pra ajo që bën të aplikohen ligjet dhe e treta, është ekzekutivi, pra zbatimi i ligjeve. Fatkeqësisht ndodh shpesh që ekzekutivi të jetë në rend të parë. Sigurisht për demokracitë e reja duhet të aplikohen standardet ndërkombëtare të demokracisë, megjithëse është e vështirë një demokraci e kulluar, ajo nuk ekziston. Ajo është thjesht një ideal, unë nuk i njoh problemet e brendshme që ka Shqipëria. Unë jam një shkrimtar dhe jo politikan. E rëndësishme është që Shqipëria nuk është më diktaturë. Unë kurrë nuk kam qenë me të djathtën. Shpresa e një populli për mua është social-demokracia, pra demokracia-sociale, ja pse dhe unë jam gjithnjë një partizan për drejtësinë sociale dhe kundër pabarazisë e shfrytëzimit të egër kapitalist.

Një personazh i librave tuaj, por edhe një personazh për të cilin janë shkruar disa libra kohët e fundit është militanti Çe Guevara. Vallë a e keni njohur personalisht?

Jo, unë nuk e kam takuar kurrë atë. Ishte një personazh mitik. Me të kam patur vetëm korrespondencë. Ishte një lloj Don Kishoti i cili e la burokracinë politike kubane dhe iku për çlirimin e popujve. Ndoshta kurrë nuk do ta marrim vesh përse ai iku ashtu në mënyrë enigmatike. Sigurisht diçka ka ndodhur. Ai ishte  një hero dhe njerëzimi ka nevojë për heronj të tillë.

Ju jeni një utopist?

Sigurisht. Unë jam një utopist. Në fakt, në brendësinë time unë jam një anarkist. Por unë kam një pozicion të pavarur. Jam një specie e vështirë, e komplikuar, të themi idealist. Për njerëzit praktikë kjo që them unë ndoshta nuk shkon. Mund t’ju duket si një ide e çmendur.

Fundin e romanit tuaj “Engjëlli i errësirave” të cilën e konsideroj si kryeveprën tuaj, ju e mbroni me një epitaf ku shkruani për veten tuaj: Përse ky epitaf?

Unë i kam shkatërruar e djegur pothuaj 3/4 e librave që kam shkruar. Si të thuash kam qenë një piromaniak. Mendoj se një shkrimtar edhe me një libër mund të hyjë në histori. Dhe kjo është diçka e jashtëzakonshme. Unë e kam njohur nga afër presidentin e akademisë suedeze të çmimit Nobel. Disa herë kam qenë kandidat i këtij çmimi. Në fakt ky çmim nuk më intereson. Pse? Pasi ka shkrimtarë të mëdhenj si Kamy apo T. Man që janë nderuar me të, por ka edhe autorë mediokër. Një ditë i thashë atij se po ta merrja, paratë e atij çmimi do t’ua jepja shoqatave që ndihmojnë të vobektit.

Por në fund të epitafit ju keni shkruar “paqe”, përse?

Sepse jeta ime ka qenë shumë e komplikuar dhe e vështirë. Ndoshta ngaqë edhe fëmijëria ime ka qenë shumë e trazuar. Them “paqe” për të thënë: mjaft më me këtë gjendje: paqe besoj se do të jetë vdekja.

 

 

 

SHKARKO APP