Shkrumbohen dhjetëra hektarë pyje në Tepelenë, përgjegjësi i zjarrfikësve: E pamundur ndërhyrja
Rritja e temperaturave ka sjellë riaktivizim të vatrave të zjarrit në disa zona të vendit. Kështu vijon të digjet hapësira e gjelbër në Ujin e Ftohtë, Tepelenë.
Mësohet nga BalkanWeb se zjarri është përqendruar në pjesën e poshtme të pyllit, duke mos prekur ende kurorën e gjelbër.
Sipas përgjegjësit të zjarrfikësve Tepelenë Velo Abazi terreni i vështirë dhe i thepisur nuk lejon ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse.
Megjithatë thotë ai situata është në monitorim. Sipas Abazit edhe ndërhyrja me helikopter do të ishte e paefektshme për shkak të lartësisë së pemëve që nuk do të lejonte përshkimin e ujit në vatrën e zjarrit. Zjarri është riaktivizuar si pasojë e temperaturave të larta.

