Shoqata e Biznesit Grek në Shqipëri, inaguron zyrat e reja
Shoqata e Biznesit Grek në Shqipëri ”Hellenic Business Association of Albania”, organizoi më 12 nëntor një aktivitet për inagurimin e ambienteve të reja të punës së Shoqatës.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Fortlumturia e tij Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Prof. Dr. Anastas Janullatos, Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Eleni Sourani, Presidenti i Shoqatës së Biznesit Grek në Shqipëri dhe Drejtor i Përgjithshëm i Alpha Bank Albania Georgios Papanastasiou, anëtarë të Shoqatës, përfaqësues të bizneseve greke që operojnë në Shqipëri si edhe biznese shqiptare dhe të huaja.
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse Papanastasiou tha: “Bizneset greke në Shqipëri janë një aktor i rëndësishëm në zhvillim socio-ekonomik të Shqipërisë, duke qenë të pranishëm në sektorë kyç të ekonomisë shqiptare, si telekomunikacion, ndërtim, tregti, sistem bankar dhe financiar, arsim, reklamim dhe shërbime të tjera. Sot numërohen më shumë se 650 biznese greke të cilat punësojnë afërsisht 16% të forcës punëtore të vendit. Krahas rëndësisë që këto biznese kanë në krijimin e vendeve të reja të punës, ato luajnë një rol të rëndësishëm edhe në trajnimin dhe transferimin e ekspertizës profesionale”.
E themeluar që në vitin 2003, Shoqata e Biznesit Grek në Shqipëri ka pasur objektiv kryesor përgjatë këtyre 15 viteve të krijimit të saj, zhvillimin ekonomik si dhe përforcimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë.

KOHA JONË SONDAZH

