Shoqata e Transportit: Kërkojmë subvencione nga qeveria që mos të rrisin çmimin e biletës
Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe ajo e Transportit Urban dhe Interurban kanë reaguar për rritjen e çmimit të karburantit, i cili ka shkuar në 217 lekë për litër. Sipas tyre, kjo rritje e shpejtë që nga 28 shkurti, pas përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, ka rritur kostot e tyre të punës.
Shoqatat u kërkojnë institucioneve të marrin masa, si heqja e TVSH-së për transportin publik, ulja e taksave mbi karburantin dhe dhënia e subvencioneve.
Reagimi i plotë:
Shoqatat, vlerësojnë të nevojshme të informojnë opinionin publik dhe institucionet përgjegjëse mbi situatën aktuale të sektorit të transportit publik, e cila po ndikohet ndjeshëm nga rritja e vazhdueshme e çmimit të karburantit dhe ndikimi i drejtpërdrejtë i saj në kostot e operimit. Transporti publik, si një shërbim me rëndësi të veçantë për qytetarët dhe për funksionimin e ekonomisë, operon në kushte tarifash të rregulluara ligjërisht dhe me mundësi të kufizuara për të përballuar ndryshime të menjëhershme të kostove. Kështu, rritja e çmimit të naftës nga rreth 145 lekë/litër përpara krizave të fundit, në rreth 214 lekë/litër aktualisht, pra një rritje prej afërsisht 70 lekë për litër, ka sjellë një shtim të konsiderueshëm të shpenzimeve operative për operatorët.
Kjo situatë rëndohet më tej nga pesha e lartë e komponentëve fiskalë në çmimin e karburantit, duke ushtruar një presion të vazhdueshëm mbi kapacitetin financiar të sektorit. Si pasojë, ruajtja e ekuilibrit ndërmjet kostove dhe të ardhurave, si dhe garantimi i të njëjtit nivel shërbimi, me të njëjtën cilësi dhe frekuencë po bëhen gjithnjë e më të vështira.
Pavarësisht adresimeve të vazhdueshme pranë institucioneve përgjegjëse, deri në këtë moment nuk janë ndërmarrë masa konkrete për të përballuar këtë situatë. Në mungesë të ndërhyrjeve të menjëhershme, ekziston rreziku që operatorët të mos jenë në gjendje të ruajnë nivelin aktual të operimit dhe frekuencat e shërbimit, me pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët. Megjithatë, theksojmë se operatorët nuk synojnë reduktimin e shërbimit apo rritjen e çmimit të biletës, por vijueshmërinë dhe cilësinë e tij. Në kushtet aktuale, kjo bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u garantuar pa mbështetje institucionale.
Për sa më sipër, kërkojmë nga institucionet përgjegjëse ndërmarrjen e masave konkrete dhe të menjëhershme, konkretisht:
1- rishikimin e barrës fiskale mbi karburantin, veçanërisht në drejtim të akcizës dhe taksës së qarkullimit;
2- vlerësimin e një politike të veçantë për sektorin e transportit publik për heqjen e TVSH-së;
3- aplikimin e mekanizmave subvencionues ose kompensues, me qëllim garantimin e vijueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së këtij shërbimi në interes të qytetarëve.
Ndërkohë qeveria nga data 19 mars, ka vendosur rikthimin e Bordit të Transparencës që do të përcaktojë çmimet e naftës, gazit dhe benzinës. Çmimet bordi i cakton duke marrë në konsideratë bursës, vlerën në zhdoganim, koston e transportit dhe fitimin e kompanive, që do të jetë 3 lekë për shumicën dhe 12 lekë për litër për pakicën. Të gjithë ata që nuk i respektojnë do të ndëshkohen, me gjoba e deri tek pezullim i licencave të tyre.
Një tjetër ndërhyrje e qeverisë që mund të ulë pakëz çmimin, ulja me 20% e akcizës, nëse çmimi do të kapërcejë 220 lekë për litër. Aktualisht në një litër naftë akciza është 38.8 lekë, dhe me këtu ulje zbret në 31 lekë për litër.
KOHA JONË SONDAZH

