Shoqata e Turizmit: Dako të mendohet mirë për ndalimin e autobuzëve nga Kosova!

Në një reagim për vendimin e Bashkisë së Durrësit që diferencoi autobuzët me pushuesit nga Kosova, Shoqata Shqiptare e Turoperatorëve dhe Agjensive Turistike i kujton Vangjush Dakos se favorizimi i pushuesve të huaj është një gabim që dëmton turizmin. Të huajt janë vetëm 1.5 apo 2% e atyre që vijnë në Shqipëri për pushime thuhet në deklaratë, ndërsa pjesa tjetër janë shqiptarët që vijnë nga Kosova, Maqedonia dhe Greqia.

“Tregu kosovar përbën akoma gjysmën e pushuesve në Shqipëri, me mbi 2 milion pushues. Madje duke i shtuar edhe shqiptarët e Maqedonisë, të Greqisë dhe Italisë janë gati mbi 3 milion nga 4.5 milion vizitorë, që hyjnë në Shqipëri. Nëse për tregun e Evropës Qëndrore dhe Lindore po flitet shumë kohët e fundit, duhet të dimë që ai treg është vetëm 60-70 mijë në total, pra vetëm 1.5-2% e totalit të pushuesve! Që këtu e kuptojmë se sa i varur është akoma turizmi dhe ekonomia jone nga tregu shqipfolës, kryesisht Kosovar”thuhet në deklaratë.

Sipas Shoqatës Shqiptare të Turizmit, gabimi i Vangjush Dakos është se ktheu në pedonale një rrugë ku duhet të lëvizin mjetet që transportojnë turistët gjatë verës, por vendimi është marrë në dimër.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Nëse “golemizimin” e turizmit tashmë nuk po mendojmë si ta zgjidhim, të paktën kur të bëhen plane bulevardesh e palmash, duhet të bëhen duke patur parasysh se si do akomodohet sa më mire qarkullimi i 2 milion kosovarëve në korrik dhe gusht, duke e zgjeruar edhe më shumë rrugën kryesore dhe duke menduar vendqëndrimin për autobuzët, dhe jo duke e kthyer në pedonale arterien kryesore” thotë Shoqata Shqiptare e Turoperatorëve dhe Agjensive Turistike.

Swiss Digital Mobile Reklama

Pak ditë më parë asnjë prej autobusëve nga Kosova të cilët u nisën për të pushuar në plazhin më të madh të vendit në Durrës nuk janë lejuar të hyjnë në rrugën “Pavarësia” në vendet ku ata kanë pasur vendqëndrimet e tyre.

Burra, gra e fëmijë të vegjël u detyruan të zbresin në skajet e zonës së Plazhit, që më pas të udhëtojnë me taksi drejt banesave apo hoteleve që kanë prenotuar ditë më parë.

Ata autobusë që tentuan të hynin u gjobitën, ndërsa ky vendim i policisë së qarkullimit rrugor u zbatua vetëm për autobusët që mbërrijnë nga qytetet ndryshëm të Kosovës dhe jo të shteteve të tjera, të cilët nuk janë penguar të hyjnë në rrugën “Pavarësia”.

Pushuesit kanë treguar se në pikun e të nxehtit janë detyruar që për rreth 2 orë të sorollaten nëpër rrugicat e Plazhit për të gjetur një mundësi të mbërrinin në vendqëndrimet e tyre.

“25 euro hoteli, tani edhe 5 euro taksia, merreni me mend. Bashkia hesht, policia dënon, ne na mbetet vetëm me pagu dënimin”,- u shpreh një pushues.

“Kemi ardh me fëmijë të vegjël, po na keqtrajtojmë ne që vijmë për pushime”,- tregoi një tjetër i irrituar.

Të shokuar janë të gjithë operatorët e biznesit në Durrës, por edhe banorët. Nëse pushuesit nga Kosova nuk do të hyjnë në Plazh, asnjë prej tyre nuk ka punë.

Hotelet janë bosh në pjesën më të madhe, po ashtu edhe banesat që jepen me qira, shezlongët janë bosh në masë të madhe dhe e gjithë zona është në krizë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?