Shoqata Shqiptare e Mikrofinancës miraton Strategjinë për vitin 2020 dhe cakton Presidencën e rradhës
Shoqata Mikrofinanca Shqiptare (AMA), me mbledhjen e Asamblesë së Anëtarëve të datës 31 Janar 2020, ka miratuar Strategjinë dhe Planin e Veprimit për Vitin 2020, si edhe ka caktuar Presidencën e rradhës. Presidentja e Shoqatës Shqiptare të Mikrofinancës për vitin 2020 do të jetë znj. Arlinda Muja, e cila është njëkohësisht dhe Drejtore e Përgjithshme e kompanisë së mikrokredisë Kredo.al.
Edhe për këtë vit, në themel të strategjisë së AMA-s mbetet Edukimi Financiar i masave, si një ndër parakushtet për të ofruar shërbime dhe produkte në tregun shqiptar, duke u bazuar në një proces transparent, etik dhe me vlerë për klientët, qofshin këta sipërmarrës, agro-biznese apo edhe individë e familje.
Viti që lamë pas rezultoi mjaft i suksesshem për mikrofinancën shqiptare. Portofoli i kredisë u rrit me 34%, duke kapur shifrën e 29 miliardë Lekë, kredia e re e dhënë gjatë vitit 2019 ishte në vlerën e 26.7 miliardë lekë, dhe numri i kredive të dhëna për vitin 2019 ishte rreth 286 mijë*.
Impakti social dhe ekonomik i sektorit është i ndjeshëm në shumë aspekte, ku mund të përmendim krijimin e vendeve të punës, 175,429 deri në fund të vitit 2019, nxitjen e sipërmarrjeve të drejtuara nga femrat, përfshirjen financiare, dhe përmirësimin e standarteve të jetesës për individët dhe familjet.
Sigurisht që për Mikrofinancën Shqiptare mbeten disa objektiva dhe sfida për t’u arritur në tregun shqiptar, siç është njohja dhe kuptimi më i gjerë i impaktit dhe përfitimeve që ka sjellë Mikrofinanca në treg gjatë këtyre 20 viteve, shfrytëzimi i ekspertizës së Mikrofinancës nga institucionet rregullatore në fushën e shërbimeve financiare, implementimin e risive teknologjike, edukimin financiar të masave dhe ekspertizën ligjore.
Shoqata Shqiptare e Mikrofinancës do të vijojë forcimin e bashkëpunimit me të gjitha institucionet financiare në Shqipëri, duke u ofruar anëtarësimin e tyre në këtë Shoqatë, rritjen e bashkëpunimit me rregullatorët kryesisht me Bankën e Shqipërisë dhe Ministrinë e Financave, por gjithashtu edhe me institucionet ndërkombëtare financiare që veprojnë në Shqipëri.
Anëtarët e AMA do të kenë vullnetin e plotë dhe gatishmërinë maksimale për të dialoguar dhe ofruar vizionin dhe kapacitetet e tyre profesionale për të bashkëpunuar në drejtim të përmirësimit dhe modernizimit të legjislacionit, nismave të përbashkëta ligjore që do të synojnë mbarëvajtjen dhe mirëfunksionimin e industrisë së mikrofinancës, duke u bazuar në parimet e rëndësishme të ligjshmërisë, transparencës dhe gjithëpërfshirjes financiare.
Rreth Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare
Shoqata Mikrofinanca Shqiptare është një organizatë jo-qeveritare e themeluar në vitin 2006, e cila bashkon institucionet financiare më të rëndësishme në vend. Me një total asetesh prej më shumë se 37.5 miliardë lekësh dhe 248,800 klientë, institucionet anëtare të Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare janë kthyer në promotore të zhvillimit ekonomiko-social dhe në aktorë të edukimit financiar të sipërmarrjeve private, agro-biznesit dhe individëve. Anëtarët aktualë të Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare janë Agro&Social Fund, Fondi Besa, Fed Invest SHKK, IuteCredit Albania, Kredo.Al , NOA sha, UniFin SHKK
*Shenim: Shifrat i përkasin Anëtarëve të Shoqatës, dhe jo gjithë Industrisë