Shpallet në kërkim 36-vjeçari. Vuri zjarr në tokën e tij, por dogji 3 banesa përreth

Një 36-vjeçar është shpallur në kërkim nga Policia e Sarandës, pasi i vuri zjarrin tokës së tij, por flakët u përhapën duke djegur dhe 3 banesa të tjera. Në pranga ka rënë M. B., 36 vjeç, banues në fshatin Livinë, në Finiq. Nga hetimet rezultoi se ishte ai që ka ndezur zjarrin, mirëpo në momentin që pa se flakët u përhapën me shpejtësi, u largua nga vendi i ngjarjes. Zjarri është ende i ndezur dhe kërcënon edhe disa banesa. Fatmirësisht, të gjithë banorët janë evakuuar. Kujtojmë se zjarrvënia është vepër e rëndë penale dhe dënohet deri në 15 vite.

Njoftimi i plotë

I vuri zjarrin tokës së tij, por ai u përhap duke përfshirë një sipërfaqe shumë të madhe dhe si pasojë u dogjën pjesërisht 3 banesa, dhe u rrezikuan disa të tjera, falë inteligjencës policore dhe veprimeve të shpejta në vendngjarje, Policia identifikon dhe shpall në kërkim 36-vjeçarin. Më datë 11.09.2023, rreth orës 11:00, në fshatin Livinë, bashkia Finiq, në një sipërfaqje toke ka rënë zjarr. Zjarri, i favorizuar nga era, ka marrë përmasa duke djegur pjesërisht 3 banesa në fshatin Livinë.

Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendgjarje dhe krahas ndihmës për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit, kanë bërë evakuimin e banorëve dhe kanë vijuar veprimet për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Falë inteligjencës policore dhe veprimeve profesionale të kryera nga grupi hetimor, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të zjarrvënies, shtetasit M. B., 36 vjeç, banues në fshatin Livinë, i cili pasi ka vënë zjarrin në tokën e tij dhe ka parë se zjarri i ka dalë jashtë kontrollit, është larguar menjëherë.

Shërbimet e Policisë vijojnë punën për lokalizimin dhe kapjen e tij. Ndërkohë, shërbimet policore, zjarrfikësit, emergjencat civile dhe një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes po vijojnë intensivisht punën për shuarjen e zjarrit. Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi ky veprim përbën krim dhe ndëshkohet penalisht, si dhe i fton ata që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të tillë, me qëllim ndërhyrjen e menjëhershme për shuarjen e flakëve dhe procedimin penal të shtetasve përgjegjës.

SHKARKO APP