Shpallet tenderi për Kamzën – Si do të transformohet blloku qendror i qytetit pas investimit 380 milionë lekë?

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka shpallur një tender me fond limit 385.5 milionë lekë, i cili do të shkojë për bashkinë Kamëz. Ky fond do të vihet në dispozicion të rikualifikimit urban të bllokut në qendër të Kamzës, ndërmjet “Bulevardit Blu dhe rrugës OSBE”. Sipas detajeve teknike të tenderit,  projekti parashikon rikonstruksion të godinave civile dhe industriale, veshje fasadë, punime në rrugë, mbikalime, hekurudha, sinjalistika rrugore, etj.

“Blloku ka sipërfaqe të destinuara për gjelbërim.Në to vihen re gjurmë të gjelbërimit të dikurshëm. Këto sipërfaqe janë shumë të amortizuara, gjelbërimi i ulët eshte zhdukur fare ndërsa i larti atje ku ekziston është zhvilluar shumë në lartesi, duke paraqitur edhe rrezikshmëri.  Mobilim urban në bllokun ekzistojnë hapësirat për ndërhyrje në mobilimin urban, me kënde lojrash dhe terrene sportive. Objekt i projektit do të jetë sistemimi i bllokut të banimit, me të gjithë elementët e infrastrukturës, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së komunitetit të kësaj zone” sqarohet më tej në detajet e projektit.

Më tej, sqarohet se pjesë e këtij investimi, përpos ndërhyrjeve edhe në rrjetin e kanalizimeve, do të krijohen hapësira me gjelbrim dhe me kënde lojërash për të rinjtë. Ndër të tjera, projekti parashikon edhe ndërtimin e rrjetit të tubacionit shpërndarës të internetit dhe telefonisë.

Fondi i vënë në dispozicion, sipas detajeve të projektit, mund të vihet në funksion të bashkisë Kamëz në faza të ndara, sipas loteve, por kjo është një e dhënë që do të përcaktohet në fazën e kontraktimit me subjektin fitues. Për të gjithë aplikantët e interesuar, tenderi do të qëndrojë i hapur në Agjencinë e Prokurimit Publik deri më 28 prill, ora 14:00./ SCAN

SHKARKO APP