“Shpërthen” ish-ministri: Nivel mjeran i diskutimit mbi bujqësinë në komisionet parlamentare!

Ish-ministri Myqerem Tafaj ka shpërthyer në akuza ndaj deputetëve të Kuvendit mbi nivelin e tyre të ulët të diskutimeve në komisionet parlamentare.

Duke marrë shkas nga një mbledhje e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Tafaj thekson se ministri i Bujqësisë dhe kryetari i Komisionit diskutojnë për bujqësinë, por jo për bujqësinë e Shqipërisë.

Reagimi i plotë i ish-ministrit Tafaj

Ministri Bledi Çuçi sot në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave

Nivel mjeran profesional i diskutimit mbi bujqësinë në Komisionet parlamentare!

Në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave ministri i Bujqèsisë dhe kryetari i Komisionit diskutojnë për bujqësinë, por jo për bujqësinë e Shqipërisë.

A mund të lidhen subvencionet vetëm me eksportet bujqësore dhe blegtorale në Shqipëri, kur vendi importon rreth 500 milion USD ushqime nga jashtë? A mund të flitet për exportet, kur mbi 90 % e nevojave të industrisë së mishit plotësohen nga importi? A mund ti thonë publikut këta sa përqind e nevojave të tregut të brendshëm, për konsum dhe për përpunim për cdo produkt, plotësohet me prodhim vendas?
Le ta nxjerrë Ministria e Bujqësisë një tabelë, me përqindjet e plotësimit të nevojave të tregut të brendshëm me prodhimin vendas, dhe opinioni publik do të mësoj se Shqipëria, me kushte të shkëlqyera për zhvillimin e blegtorisë dhe bujqësisë, importon mbi 500 milion USD mish dhe produkte ushqimore si fruta, perime, etj, nga jashtë, sepse nuk mbështeten fermat bujqësore dhe blegtorale prodhuese për të rritur prodhimin, cka bën të rriten importet dhe rriten fitimet e monopoleve të importeve të produkteve ushqimore dhe të imputeve.

Ky është mashtrim i publikut për të legjitimuar shpërndarjen e fondeve në shumë pak duar, të quajtur edhe grumbullues gjoja produktesh, por në realitet janë edhe grumbulluesh votash!

Të rritet prodhimi vendas dhe, më së pari, shkalla e plotësimit të nevojave të tregut të brendshëm, për konsum dhe përpunim, nuk do të thotë “të mbështetemi në forcat tona”, nuk nënkupton proteksionizëm, por do të thotë shfrytëzim të resursve tona edhe natyrore, do të thotë rritje e GDP të vendit, do të thotë rritje e të ardhurave dhe nivelit të jetesës për fermerët, do të thotë rritje e shkallës së punësimit, jo vetëm në zonën rurale, por në gjithë vendin, do të thotë ulje e varfërisë, do të thotë nxitje e zhvillimit të industrisë ushqimore dhe turizmit, do të thotë ndalimi i shpopullimit të vendit. Po. Kjo do të thotë të ulen importet dhe fitimet marramendëse të importuesve monopolistë në kurriz të rritjes së kostos së jetesës së qytetarëve për shkak të cmimeve abuzive të ushqimeve, të ulen cmimet e ushqimeve për popullsinë, dhe tregu shqiptar i konsumit dhe i përpunimit të mishit, qumështit, vezëve, frutave, perimeve, miellit, vajit të ullirit, etj, të mos i shërbej zhvillimit të ekonomisë së Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Greqisë, Italisë, Bullgarisë, vendeve të tjera të Europës, apo Brazilit, Argjentinës, Paraguajt, etj, nga ku importohen këto ushqime, por GDP dhe rritjes ekonomike të vendit tonë, si dhe zhvillimit të degës kryesore të ekonomisë shqiptare, bujqësisë dhe ushqimit në tërësi, me nënsektorët e bujqësisë, blegtorisë, akuakulturës, peshkimit, industrisë agroushqimore. Eshtë pozitive që, për herë të parë në politikën shqiptare, kryetari i PD, Z. Basha, po flet për mbështetje direkte të fermerëve, sidomos të fermave të blegtorisë, dhe jo të grumbulluesve apo importuesve, rritje të prodhimit vendas, ulje të importeve dhe mbrojtje të prodhuesve vendas.

SHKARKO APP