Shpërthen lufta, Sira sulmon nga ajri Turqinë dhe vret 33 ushtarë
Mbrëmjen e së enjtes, në një sulm ajror në Idlib, në rajonin verior sirian janë vrarë 33 ushtarë turq dhe janë plagosur 36 të tjerë. Ankaraja ka bërë përgjegjëse për këtë, regjimin sirian dhe është kundërpërgjigjur këtë të premte me sulme ajrore duke lënë të vrarë më shumë se 300 ushtarë sirianë.
Zëdhënësi i partisë qeverisëse të Erdoganit, Ömer Celik ka kërcënuar se do të hapë kufijtë e vendit për miliona refugjatë, që të vijnë në Europën Perëndimore. “Politika jonë e refugjatëve është e njëjta, por ne kemi një situatë të re. Nuk mund t’i mbajmë më refugjatët”, tha Celik. Sipas BBC, një raport i pakonfirmuar i mediave ruse thotë se dy anije luftarake ruse të pajisura me raketa lundrimi po dërgohen në drejtim të bregdetit sirian.
Por këshilli i atlantikut të veriut, pas një mbledhje të jashtëzkonshme këtë të premte me kërkesë të Turqisë, bëri thirrje që palët të përmbahen dhe të ndalojnë ofensivën e tyre duke respektuar ligjin ndërkombëtar. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg theksoi se aleanca qëndron në solidaritet të fortë me Ankaranë.
“Kjo situatë e rrezikshme duhet të marrë fund dhe të rikthehet menjëherë armëpushimi i vitit 2018, për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës së tmerrshme humanitare në rajon. Takimi i sotëm është një shenjë e qartë e solidaritetit me Turqinë. Turqia është Aleate e vlefshme e NATO-s dhe vendi më i prekur nga konflikti në Siri. NATO do të mbështesë Turqinë me një sërë masash, ku përfshihet edhe forcimi i mbrojtjes ajrore.”, tha Stoltenberg.
Presidenti Erdogan kërkon që forcat e qeverisë siriane të tërhiqen nga pozicionet ku Turqia ka ngritur poste të vëzhgimit ushtarak dhe më herët ka kërcënuar se do t’i sulmojë nëse nuk do të ndalonin përparimin e tyre.
Por qeveria e Sirisë dhe Rusia e kanë refuzuar kërkesën e tij për t’u tërhequr në linjat e armëpushimit të rënë dakord në vitin 2018. Rusia ka akuzuar gjithashtu Turqinë për shkeljen e armëpushimit duke mbështetur rebelët me zjarr artilerie.