Shpërthim historik në Rusi: Vullkani Krasheninnikov zgjohet pas 600 vitesh, prej tërmetit 8.8 ballë
Për herë të parë në historinë moderne, vullkani Krasheninnikov në Gadishullin e Kamchatkës ka shpërthyer, duke çliruar një re hiri deri në 6,000 metra lartësi mbi nivelin e detit dhe duke shkaktuar alarm në Lindjen e Largët Ruse.
Sipas Ekipit të Reagimit ndaj Shpërthimeve Vullkanike të Kamchatka-s (KVERT), shpërthimi ndodhi në orën 4:50 të mëngjesit, pak ditë pas një tërmeti të fuqishëm me magnitudë 8.8 ballë që goditi rajonin juglindor të Petropavlovsk-Kamchatsky më 30 korrik.
“Kjo është hera e parë që Krasheninnikov shpërthen në 600 vjet,” deklaroi Olga Girina, drejtuese e KVERT, për agjencinë RIA Novosti. Sipas saj, aktualisht një kupolë lave po formohet në shpatin e vullkanit, ndërsa nga krateri verior vazhdojnë emetimet intensive të gazit dhe hirit vullkanik.
Një vullkan i heshtur për shekuj, tani në aktivitet të plotë
Krasheninnikov, që mban emrin e eksploruesit rus Stepan Krasheninnikov, përbëhet nga dy stratovulkane të mbivendosur brenda një kaldere të gjerë, e ndodhur brenda Rezervatit Natyror Kronotsky, rreth 50 kilometra nga qyteti i madh Petropavlovsk-Kamchatsky. Derdhja e fundit e dokumentuar e lavës besohet të ketë ndodhur rreth vitit 1463, ndërsa në vitin 1963 janë regjistruar vetëm shenja të lehta fumarolike, por pa shpërthim të vërtetë.
Shpërthimi aktual përkon me një valë aktiviteti vullkanik në të gjithë rajonin e Kamchatkës. Klyuchevskaya Sopka, vullkani më i lartë aktiv në Euroazi, shpërtheu gjithashtu, në një ngjarje që autoritetet ruse e cilësuan si më të fortën në 70 vitet e fundit.
Po ashtu, vullkanet Shiveluch, Karymsky, Bezymianny dhe Kambalny kanë shfaqur shenja të dukshme aktivizimi, me retë e hirit që mund të arrijnë deri në 10,000 metra në lartësi.
Alarme për cunami dhe masa evakuimi në Paqësor
Pas tërmetit të 30 korrikut, u lëshuan alarme për cunami dhe u morën masa evakuimi në disa rajone përgjatë Rripit të Zjarrit të Paqësorit. Sizmologët po e lidhin këtë tërmet të fuqishëm me shkaktimin e aktivitetit vullkanik zinxhir në Kamchatka.
Autoritetet lokale dhe shkencëtarët rusë kanë këshilluar banorët dhe vizitorët të qëndrojnë të paktën 10 kilometra larg zonave aktive vullkanike, për shkak të rrezikut të rrëshqitjeve të lavës, gazrave toksikë dhe reshjeve të hirit.
Shkencëtarët vijojnë monitorimin në kohë reale të situatës, ndërsa imazhet satelitore tregojnë zhvillim të qëndrueshëm të aktivitetit vullkanik, që mund të ndikojë edhe në trafikun ajror në rajonin e Azisë Verilindore.
KOHA JONË SONDAZH

